Delegacioni i Kuvendit i kryesuar nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, ka realizuar takim me Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Në takim, Kryetari Gashi e konfirmoi qëndrimin se Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdon të ketë qëndrim afirmativ për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat dhe iniciativat multilaterale dhe rajonale dhe do të vazhdojë ta mbështesë këtë plan edhe në të ardhmen. E shprehu gatishmërinë që Kuvendi t’i ndajë përvojat e tij në procesin e miratimit të ligjeve dhe mbikëqyrjes së pushtetit ekzekutiv në kontekst të proceseve reformuese, si në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ashtu edhe në lidhje me anëtarësimin në NATO. Si vend anëtar i NATO-s, Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar ndaj angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë dhe kontributit të saj në KFOR. Gashi theksoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe me përpjekje të përbashkëta shtetet mund t’i tejkalojnë sfidat dhe të sigurojnë prosperitet dhe stabilitet për qytetarët e tyre.
Kryetari i Qeverisë, Kurti theksoi se takimi i sotëm, i cili pason menjëherë pas Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, është tregues se marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës po marrin përmasa të mëdha. Kurti theksoi se përparimi ekonomik, bashkëpunimi i komuniteteve të biznesit dhe përafërimi i standardeve evropiane janë themeli i bashkëpunimit midis dy vendeve. Republika e Kosovës sheh aleat, mik dhe zëdhënës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, andaj si kryeministër vazhdimisht përkrah komunikimin dhe thellimin e bashkëpunimit në nivel parlamentar në të gjitha sferat e interesit të Rajonit.
Bashkëbiseduesit ranë dakord se mbajtja e Mbledhjes së Dytë të Përbashkët të Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, padyshim do të jetë impuls pozitiv për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, nxitjen e dialogut politik pozitiv dhe ngritjen e interesave të përbashkëta për bashkëpunim më intensiv. E theksuan gjithashtu rëndësinë e Protokollit të nënshkruar midis dy vendeve, i cili prek drejtpërdrejt qytetarët sepse e shkurton kohën e pritjes në pikat kufitare. Konkluduan se bashkëpunimi i ndërsjellë në segmente të ndryshme është në të mirë të qytetarëve tanë dhe duhet të vazhdojë me intensitet edhe më të madh në periudhën e ardhshme.