Izet Mexhiti: Alfabeti i gjuhës shqipe identiteti i çdo shqiptari

Fjalimi integral i Zëvendës kryeministrit të parë Izet Mexhiti nga Akademia Solemne me rastin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe që u mbajt në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut

Izet Mexhiti: Alfabeti i gjuhës shqipe identiteti i çdo shqiptari

I nderuari Kryeministër z. Hristijan Mickovski,
Të nderuar ministra, zëvendës ministra dhe anëtarë të kabinetit qeveritarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
 
Gëzuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!
Kam nderin që si Zëvendës Kryeministër i parë, në emër të Qeverisë të jem nikoqir i manifestimeve zyrtare me rastin e kësaj date të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.  Shënimi i Ditës së Alfabetit fillon sot me këtë seancë plenare, për të vazhduar me Simpoziumin shkencor në ITKSH, ndarjen e çmimit 22 Nëntori në Parlament, si dhe disa manifestime kulturore-artistike në Manastir.
 
Të nderuar të pranishëm,
Punimet e Kongresit të Manastirit që rezultuan me miratimin e Alfabetit të gjuhës shqipe shtruan rrugën për kodifikimin e shkrimit në gjuhën shqipe, ndërsa vendimet e miratuara në Kongres i vunë gurthemelet e identitetit modern evropian të popullit shqiptar.  Kongresi i Manastirit ishte thirrja kundër asimilimit dhe fshirjes së gjuhës shqipe nga kujtesa e shqiptarëve.  Ky mobilizim i inteligjencisë dhe udhëheqësisë politike shqiptare në Manastir në vitin 1908, pikërisht në kohëne lëvizjeve kryengritëse të popujve të Ballkanit të cilat do të sfidonin seriozisht themelet e Perandorisë Osmane, shënoi një momentum të ri për shqiptarët në fillim të shek.XX- ky ishte paralajmërimi për bashkërenditjen e veprimeve për të flakur dhe refuzuar politikat asimiluese të Perandorisë dhe tendencat e vazhdueshme për zhbërjen e identitetit kombëtar shqiptar.
Këtu edhe qëndron rëndësia e alfabetit.  Pa një sistem të kodifikuar, pa një ABC të unifikuar, nuk do të ishte i mundur kundërshtimi dhe refuzimi i asimilimit. Alfabeti si një sistemsimbolesh ose sistem shkronjash të vendosura në një rradhitje të caktuar të cilat do të përdoreshin për të shkruar gjuhën shqipe dha mesazhin se shqiptarët kishin tejkaluar dallimet krahinore e fisnore dhe ishin rradhitur pas idesë se një lëvizje rilindëse e homogjenizuar dhe e konsoliduar është forma më e mirë për t’iu përgjigjur fushatave për asimilimin dhe asgjësimin e shqiptarëve.
Sot, alfabeti i gjuhës shqipe është pjesë e elementeve përbërëse dhe përcaktuese të trungut identitar shqiptar.  Së pari, bën pjesë në alfabetet latine që është një përkufizues i identitetit perëndimor evropian të shqiptarëve. Së dyti, kodifikimi i alfabetit mundësoi prodhimin e shkrimit – dëshmive të shtypura – historike, gjuhësore, shkencore, artistike – për ekzistimin e shqiptarëve.  Së treti, alfabeti është parakushti themelor për arsimin dhe kulturën e një populli.  Modernizimi nuk është i mundur pa arsimim, dhe arsimimi pa lexim, e leximi pa shkrim, nuk bëjnë!  Është pra, një varg faktorësh e elementësh ndërveprues të cilët e shtrojnë bazamentin për ndërtimin e një populli me virtyte e primesa bashkëkohore evropiane.  
 
Të nderuar të pranishëm.
Sivjet festimet për Ditën e Alfabetit na gjejnë në mes të një debati “të nxehur” lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në vendin tonë.  Qëllimisht i nxitur për të defokusuar interesimin publik dhe për të prodhuar kriza artificiale aty ku nuk ka, ky debat është duke shkaktuar tensione të panevojshme në shoqëri e besa edhe në regjion.  E kam thënë, dhe po e përsëris:  asnjë e drejtë e fituar dhe e ushtruar nuk mund të abrogohet apo të kufizohet sepse, nëse duam që njerëzit t’i trajtojmë si të barabartë në shoqëritë multietnike, atëherë detyra jonë është që t’ua sigurojmë ose garantojmë atyre gëzimin dhe ushtrimin e të drejtave dhe lirive të fituara.  Gjykata Kushtetuese, për fat të keq, sot është kthyer në një gogol.  Të gjithë hedhin zjarr, mllef, e shigjeta ndaj këtij institucioni i cili do të duhej të shihej me respekt si gardian i të drejtave dhe lirive të qytetarit.  Ne nuk duam që asnjë institucion në shtet të ketë reputacion të tillë negativ dhe ftojmë të gjitha institucionet që të bëjnë punën e tyre konform kompetencave dhe jurisdiksionit që kanë.  Kësisoj, presim nga Gjykata Kushtetuese që të merret me aspektet e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe qytetarit dhe jo të lëshohet në konsiderata politike të çështjeve aktuale dhe në këtë mënyrë të kthehet në palë në vend se të ngelet arbitër i paanshëm dhe larg ndikimeve polarizuese politike kur merr vendime.  
Në fund, duke ruajtur karakterin festiv të ditës së sotme, dëshiroj të uroj secilin shqiptar e shqiptare kudoqoftë, në këtë ditë të bukur e të shënuar për secilin prej nesh.
 
URIME!