Mungesa e autobusëve në Shkup, nxënësit nuk kanë me çka të shkojnë në shkollë, shumë klasë mbeten të përgjysmuara

Prej dje në Shkup nuk po qarkullojnë autobusët e transport publik për shkak se nuk ka naftë për autobusët. NTP “Shkup” i ka borxh peej disa milionë eurove firmës furnizuese “Pucko petrol” dhe për këtë shkak nuk porositet më naftë. Do të mund të lëvizin vetëm autobusët me gaz, gjegjësisht vetëm 25 prej tyre.

Mungesa e transportit publik në kryeqytet u ka shkaktuar probleme nxënësve të shkollave të mesme që jetojnë më larg shkollave, por edhe sudentëve.

Ekipi i portalit Lideri.mk ka vizituar disa shkolla të mesme ku ka hasur në klasë të përgjysmuara, e madje gati të zbrazura.

Punëtorët e NTP-së dje kanë thënë se autobusët tashmë kanë filluar të shkëputen nga qarkullimi për shkak se nëpër baza nuk ka naftë.

“Të hënën ka pasur një dërgesë të vogël, por borxhi nuk është paguar dhe nafta nuk po sillet më në bazat në Avtokomandë dhe Gjorçe Petrov”, thanë punonjës të kompanisë.

Nga qyteti i Shkupit apo ndërmarrja nuk ka njoftim se qyteti do të mbetet pa transport dhe se qytetarët do të duhet të gjenden disi të kthehen në shtëpi nga vendet e punës dhe shkollat.