Partitë shqiptare në Kuvend, shfrytëzuan seancën për pyetjet e deputetëve për t’u përplasur rreth temave etnike që kanë tërhequr vëmendjen në periudhën e fundit. Rina Ajdari pyeti zv.kryeministrin Izet Mexhiri se cili është qëndrimi i tyre për gjuhën shqipe, duke i quajtur kundërthënëse qëndrimet mes partnerëve të koalicionit VLEN. Fronti Evropian propozoi hapjen e kushtetutës ose të bëhet një ligj tjetër për shqipen. Mexhiti përsëriti qëndrimin e ditëve të kaluara.
“Gjuha shqipe përdoret nëpërmjet ligjit të gjuhëve që po ashtu apostrofohet për bashkësinë që është mbi 20%. Çka kur të mos jetë 20%? Do ja lëmë fatit? Po ashtu këtë ligj, askush por shumica në të cilën ka marrë pjesë BDI-ja, ministrja Drejtësisë e ka dërguar në Komisionin e Venecias për të marrë mendim a përputhet me Kushtetutën. Po ashtu Gjykata Kushtetuese, nëntë prej tyre janë të zgjedhur nga shumica e kaluar. Pra, problem është iniciuar nga ju dhe ne jemi këtu garant që gjuha shqipe do të përdoret zyrtarisht dhe askush nuk mund ta cenojë atë”, deklaroi Izet Mexhiti, zv.kryeministër i parë.
“A jeni të gatshëm të nisim procedurën e ndryshimit të Kushtetutës për termin 20% ose së paku në një periudhë sa më të shkurtër të propozoni ligj për zyrtarizimin e gjuhës shqipe e cila sipas jush nuk na qenka zyrtare? Ju keni qenë pjesë e BDI-së, keni qenë pjesë e jona, madje keni qenë nënkryetar i BDI-së dhe nuk është e drejtë që aq lehtë dhe në këtë formë të më jepni një përgjigje dhe të mos mbani përgjegjësi për gjithë ato vite që keni qenë bashkë me ne…”, u shpreh Rina Ajdari, deputete e BDI-së.
Zv.kryeministri Mexhiti paralajmëroi ligj të ri për lojërat e fatit, deri në fund të vitit, i pyetur nga BDI-ja se përse këto aktivitete nuk janë reduktuar. Mexhiti tha se së shpejti do të zbardhen hetimet ndaj atyre që kanë shëprdorur detyrën me lojërat e fatit.
“Kemi formuar task-forcë me ministri të ndryshme me të cilën udhëheq ministri i Dixhitalizimit për të luftuar kazinotë e egra sepse edhe ata janë kazino të lidhura me rrethin tuaj dhe shumë shpejt këto do të dalin para drejtësisë dhe ju do të distancoheni, do të turpëroheni dhe do t’iu vijë marrë edhe t’i përshëndetni dhe jo më të rrini me ato. Unë sot prej këtu prej foltores së Kuvendit ju them se deri në vitin e ri do të sillet ligj i ri për organizimin e lojërave të fatit që do të jetë tejet radikal, i ashpër dhe do t’i përmirësojë gabimet tuaja të të kaluarës”, tha Izet Mexhiti, zv.kryeministër i parë.
“Tani nuk u jepni licenca kompanive paraprake por do t’u jepni licenca kompanive të cilat do të bashkëpunojnë me ju. Vazhdojnë të hapen edhe lojëra të fatit online, edhe objekte të reja dhe unë sinqerisht me plot dëshirë do të pres dhe do të vazhdoj të pres mos po sillni ndonjë ligj të ri, ashtu siç thoni, për t’i mbyllur lojërat e fatit”, shtoi Rina Ajdari, deputete e BDI-së.
Seanca e sotme e pyetjeve të deputetëve ishte sipas rregullores së re, kur për herë të dytë brenda një muaji, deputetët e opozitës kanë dy orë kohë për të parashtruar pyetje për bartësit e funksioneve publike.