Situata me liqenin e Ohrit po bëhet alarmante. Niveli i ujit bie minimum 1 centimetër çdo ditë dhe është vetëm dy centimetra larg minimumit biologjik prej 693.12. Të gjitha pjesët e bregut janë të thata ndërsa janë formuar edhe ishuj të vegjël. Pronarët e varkave thonë se nuk kanë ku t’i lënë varkat e tyre.
“Kjo është vërtet e paparë. A ka njeri që kujdeset për shtetin dhe liqenin. Kjo është fatkeqësi e paparë. Shikoni sa ka rënë niveli i liqenit, gati një metër. Me siguri do të ketë pasoja. Para disa viteve niveli i liqenit ra kështu dhe më pas patëm 2000 tërmete”, tha një varkëtar.
“Ishte një vit i thatë, verë e gjatë, kjo mund të jetë e natyrshme. Edhe sikur diga të jetë e hapur, nuk mund të zvogëlohet aq shumë. Diga është hapur edhe në vitet e tjera. Nuk mund t’i lëmë varkat këtu tani ndërsa këtu i lëmë rregullisht”, tha një varkëtar.
Banorët e Ohrit dhe turistët që kalojnë çdo ditë pranë shëtitores së qytetit e shikojnë me shqetësim liqenin.
“Është turp. Përnjëherë uji lëshohet përmes Drinit të Zi. Të kenë kujdes organet kompetente, këtu ecin njerëz dhe të huaj dhe ky është turp për vendin. Luajnë me nivelin e ujit ndërse e konsiderojnë si liqenin më të mirë dhe më të pastër”, u shpreh një qytetar.
Ekspertët dhe ekologët kërkojnë me vite të tëra që liqeni të mos përdoret si rezervuar artificial për prodhimin e energjisë elektrike. Ata paralajmërojnë se lëkundjet e vazhdueshme dhe loja me nivelin e liqenit ndikon më së shumti në botën e gjallë. Por nga EMV thonë se e ruajnë kuotën në nivelin mesatar.
“E kemi parasysh kuotën minimale, e cila është 693.10 metra mbi nivelin e detit dhe nuk do të lejojmë tejkalimin e saj. Pikërisht për shkak të periudhës së thatë, për një kohë të gjatë, shkarkimi i ujit nga liqeni i Ohrit në grykën e lumit Drinit të Zi është në nivel të ulët. Aktualisht, vetëm 3 metër kub në sekondë rrjedhin nga priza, e cila është sasi vetëm për të siguruar minimumin e nevojshëm biologjik”, thonë nga EMV.
Nga EMV deklaruan se në vitin 2023, liqeni i Ohrit përbënte 3,65% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike vendase, ndërsa në shtator të këtij viti është 2,86%.