Izraeli nuk ndal sulmet në Bejrut

Ky është momenti kur një sulm i ushtrisë izraelite shkatërron një ndërtesë në periferi të Bejrutit.

Shpërthimi ndodhi 50 minuta pas një paralajmërimi të ushtrisë së Tel Avivit për evakuim të kësaj zone ku ndodhen apartamente banimi, biznese dhe një komisariat policie.

Izraeli këtë javë ka shtuar sulmet ajrore kundër periferive jugore të kontrolluara nga Hezbollahu në Bejrut një përshkallëzim që vjen pavarësisht përpjekje diplomatike të udhëhequra nga SHBA për përfundimin e konfliktit.

Ambasadori amerikan në Liban i paraqiti të enjten një propozim armëpushimi kryetarit të parlamentit të Libanit Nabih Berri, i cili mbështetet nga Hezbollahu për të negociuar. Drafti është propozimi i parë me shkrim i Uashingtonit për të ndalur luftimet midis aleatit të tij Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani.

Diplomacia bën një përpjekje të fundit të administratës amerikane që po largohet për të siguruar një armëpushim në Liban. Të enjten, Eli Cohen, ministri i Energjisë i Izraelit dhe një anëtar i kabinetit të tij të sigurisë, i tha Reuters se perspektivat për një armëpushim ishin më shpresedhënëse që nga fillimi i konfliktit.

Washington Post raportoi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po punon për arritjen e një armëpushim në Liban me synimin për t’i dhënë një sukses të hershëm Presidentit të zgjedhur Donald Trump.