A po përçahet edhe më tepër BDI tani që është në opozitë?

Kjo pamje e njërit nga tubimeve të BDI-së që tregon liderin e partisë Ali Ahmeti të rrethuar nga kuadro që asnjëherë nuk e lëshuan rreshtin e parë, afër liderit, ka irrituar anëtarë të tjerë dhe mbështetës të BDI-së. I tillë ishte reagimi i ish drejtorit të ELEM Turs Adem Avziu i cili publikisht kërkoi që të freskohen rreshtat e parë.

“Mendoj që ka ardhur koha që të paktën në takimet me popullin të freskohen rreshtat e parë! Kryetari bashkë me kryesinë e ngushtë, sekretarin dhe nënkryetarët e partisë, takimet i mbajnë me qëllim që të bashkëbisedojnë me popullin, ta dëgjojnë popullin, jo t’i dëgjojnë ato individë të cilët i dëgjon që nga viti 2002”, u shpreh Adem Avziu, Ish funksionar i BDI-së.

Avziu tha se këtë shqetësim e ndajnë edhe shumë anëtarë të tjerë të BDI-së. Ndërkohë sot në një deklaratë për Alsat, Avziu duket se ka zbutur tonet duke thënë se qëllimi i reagimit ishte që tu jepet hapësirë qytetarëve.

“Ato janë refleksione të cilat duhet të ndodhin dhe prioritet kemi qytetarin. Po aty ishte qëllimi që mos të zëmë hapësirat neve si ish funksionarë të BDI por t’u jepet hapësirë dhe t’ua lëmë vendet e para qytetarëve, sepse tek e fundit ky është dhe qëllimi i takimeve të cilat i realizon kryetari jonë”, tha Adem Avziu – BDI.

Sekretari organizativ i BDI-së, Blerim Bexheti, është ndër individët që merr pjesë thuajse në çdo tubim të partisë. I pyetur pse nuk u jepet hapësirë kuadrove të reja në tubime, Bexheti shprehet se në ato tubime të drejtë fjale ka kushdo, ndërsa për atë se kush ku ulet, e rregullon protokolli i degës së partisë.

“Të rinjtë, sekretariati për barazi gjinore, degët, udhëheqësia e partisë, të gjithë punojnë në këtë drejtim dhe të gjithë kanë hapësirë dhe do të kenë. Nëse mendoni për ndonjë reagim individual, reforma dhe ndryshime gjithmonë ka patur, ka dhe do të ketë dhe ato janë çështje që normalisht i shqyrton udhëheqësia e BDI-së”, deklaroi Blerim Bexheti – BDI.

Duke komentuar këtë fenomen, analisti politik Bashkim Selmani, shprehet se qytetarët nuk duhet të shfrytëzohen vetëm për duartrokitje nëpër tubime. Në çdo katër vite duhet të ndryshojnë figurat politike, me qëllim që të sjellin rezultate më të mira, thotë Selmani.

“Nëpër tubimet partiake është fakt se liderët politik janë ata që e krijojnë atë ambient dhe nuk janë qytetarët ata të cilët duhet të jenë të privilegjuar por fatkeqësisht, janë grupe njerëzish të cilët kanë përvojë shumë të madhe dhe janë kategoria më e pasur në shoqëri dhe sikur qytetarët i shohim si të nënshtruar ndaj atyre figurave, se sa autonom të jenë në veprimin e tyre”, tha Bashkim Selmani – Profesor Universitar.

Pushteti aktual vazhdimisht i kërkon BDI-së që të shfrytëzojë kohën në opozitën për tu reformuar dhe pastruar radhët nga funksionarët e përfshirë në afera korruptive.