Nikolla Naumoski, i cili ishte shef i kabinetit të ish-kryetarit të Shkupit, Petre Shilegov, e fitoi rastin gjyqësor për shpifje kundër kryetares Danela Arsovska. Naumoski e paditi Arsovskën për shpifje se ka shpenzuar para nga qyteti për dreka nëpër lokale!
“Danela është gënjeshtare dhe shpifëse. Kështu vendosi sot gjykata, gati tre vjet pasi shpifi për mua para gazetarëve dhe kamerave se kam shpenzuar paratë e qytetit për të ngrënë e për të pirë nëpër lokale. Në këto tre vite ajo me mjeshtëri i ka shmangur të gjitha thirrjet gjyqësore, ka shmangur dhe zvarritur dhe në fund nuk ka paraqitur asnjë provë për shpenzimet e supozuara. Ndonëse disponon të gjithë arkivin e qytetit dhe të gjitha dokumentet, ajo nuk ka arritur të gjejë një llogari të vetme inkriminuese, faturë, porosi, diçka që mund të mbështesë gënjeshtrën e saj”, thotë Naumoski dhe shton se do të kërkojë dëmshpërblim nga Arsovska.
Kryetarja Arsovska, në të vetmin brifing që kishte me gazetarët në dhjetor të vitit 2021, menjëherë pas marrjes së detyrës, tha se Naumoski duhet të sqarojë për shpenzimin e parave nëpër kafene, që sipas saj kanë qenë shpenzime prej mijëra eurosh dhe se të gjithë do të jenë përgjegjës për shpenzimin e parave publike.
“Shoh njeriun që ka qenë shef i kabinetit të kryetarit të mëparshëm, i cili guxon të flasë kundër vendit ku e merr rrogën, ndërsa e merr nga paratë e qytetarëve të qytetit të Shkupit dhe në të njëjtën kohë merr pushime, mori pushim mjekësor dhe nuk vjen në punë të japë dorëheqje dhe të dorëzojë detyrën. Ai duhet të japë llogari dhe të thotë se ku janë të gjitha paratë që ka shpenzuar”, tha atëherë Arsovska.
Ajo nuk ka paraqitur asnjë provë në gjykatë për këto shpifje.