Elon Musk, fituesi i dytë i zgjedhjeve pas Trumpit..!?

Nëse Donald Trumpi është fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë menjëherë pas tij është miliarderi Elon Musk, i cili ka investuar gjithçka për kandidatin republikan.

Njeriu më i pasur në botë u fut kokë e këmbë në fushatën e ish-presidentit javët e fundit, duke e ndjekur në tubime dhe duke dalë në skenë për ta mbrojtur, veçanërisht në Pensilvani.

Musku harxhoi më shumë se 100 milionë dollarë në fushatë dhe përdori rrjetin e tij social X si terren për mesazhet e Trumpit, veçanërisht për migracionin.
Ekipi i tij madje organizoi lotari dhe ofroi 1 milion dollarë në ditë për votuesit e regjistruar në shtetet kyçe, të cilët ranë dakord të nënshkruanin një peticion konservator në favor të lirisë së shprehjes dhe të drejtës për të mbajtur armë.

Lëvizja e rrezikshme e Muskut dha frytet pas fitores së Trumpit. Aksionet e Teslas u rritën, duke i sjellë atij 15 miliardë dollarë në orët e mëngjesit, shkruan Forbes.
Miliarderi madje mund të jetë pjesë e administratës së Trumpit.

Musku dhe Trumpi nuk e kanë fshehur afërsinë e tyre. Musk postoi një foto në X me Trumpin në natën e zgjedhjeve në Florida.
Në fjalimin e fitores, Trumpi e përshkroi Muskun si “super gjeni”.