BE-ja, e shqetësuar për raporet me SHBA

Rreth 50 liderë evropianë, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rut, në Budapest, rivlerësojnë marrëdhëniet e tyre transatlantike me shpresën se presidenca e dytë e SHBA-së e Donald Trump do të shmangë grindjet dhe kurthet politike të administratës së tij të parë. Presidenti francez Emmanuel Macron tha të enjten se Evropa nuk duhet të mbetet statike përballë Kinës dhe SHBA-së dhe u kërkoi homologëve të tij të ndërmarrin veprime për të siguruar që Evropa të bëhet një fuqi plotësisht e pavarur.

“Ne duhet të krijojmë një axhendë për të mbrojtur demokracinë tonë, rregullat tona demokratike, opinionin tonë publik, mënyrën se si bashkëqytetarët tanë formojnë opinionin e tyre në mënyrë që më pas të mund të votojnë lirshëm. Nëse bëhemi teatër i propagandës së jashtme sepse jemi naivë dhe ne thjesht konsiderojmë se demokracia ofron infrastrukturë, por nuk merret me rregullimin e përmbajtjes, demokracitë tona liberale do të na hiqen nga duart. Duhet të ndërtojmë një axhendë pozitive jashtëzakonisht ambicioze dhe të ndërgjegjësohemi se cila është Europa e madhe që e kemi. Është një fuqi e pashembullt gjeopolitike, por deri më tani ne thjesht nuk e supozojmë veten të jemi një fuqi plotësisht e pavarur. Ne mendojmë se duhet t’ia delegojmë gjeopolitikën Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se ne duhet t’ua delegojmë modelin tonë të rritjes klientëve tanë kinezë”, deklaroi Emanuel Makron, President i Francës.

Nikoqiri i samitit, kryeministri hungarez Viktor Orban, mik i Tramp dhe i politikave të tij, tha sot se ai tashmë kishte një telefonatë me presidentin e ardhshëm, duke shtuar “Ne kemi plane të mëdha për të ardhmen!”

“Situata në Evropë është e vështirë, e ndërlikuar dhe e rrezikshme. Jemi në vitin e tretë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Lindja e Mesme është në flakë për shkak të sulmeve terroriste dhe konflikti mund të përshkallëzohet. Ne u takuam sot sepse besojmë se rreziku dhe sfidat na prekin të gjithë neve. Përgjigjet që jepen sot do të përcaktojnë të ardhmen e Evropës disa dekara para nesh”, tha Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë.
Në Samit ishin edhe kryeminsitri Hristijan Mickoski, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

“Është bërë shumë zhurmë ndoshta jo në mënyrën e duhur, rreth kthimit të tij. Përvoja ime thotë se deri sa ai ishte president dhe të gjithë thoshin se NATO do të dobësohet, NATO u bë më e fortë. Kështu që le të presim dhe të mos bëhemi histerik përpara sesa të shohim realitetin”, u shpreh Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rut, nga Samiti foli për kërcënimet e reja që mund ta rrezikojnë dhe SHBA-në.

“Rusia po dërgon teknologjinë më të fundit në Korenë e Veriut në këmbim të ndihmës së Koresë së Veriut në luftën kundër Ukrainës dhe kjo është një kërcënim jo vetëm për pjesën evropiane të NATO-s, por edhe për territorin e SHBA-së dhe kjo do të thotë se Indo-Paqësori dhe Euro -Atlantik, por veçanërisht edhe brenda NATO-s – SHBA, Kanada dhe pjesa evropiane e NATO-s, duhet të punojnë së bashku”, tha Mark Rut, sekretar i Përgjithshëm i NATO-së.

Gjatë fushatës së tij elektorale, Trump ka kërcënuar çdo gjë, nga një luftë tregtare me Evropën deri te tërheqja e angazhimeve të NATO-s dhe një ndryshim të mbështetjes për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë – të gjitha çështjet që mund të kenë pasoja në të gjithë Evropën.

Administrata e Trump në mandatin 2016-2020 vendosi tarifa për çelikun dhe aluminin e BE-së, bazuar në pretendimin se produktet e huaja, edhe nëse prodhoheshin nga aleatët, ishin një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA.

Takimi i radhës i Kominitetit Politik Evropian do të mbahet në Shqipëri në gjysmën e parë të vitit që vjen.