Ndryshimet në Kodin Penal, Qeveria pret përgjigje nga Brukseli

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se edhe nëse sillet gijotinë, nuk do të korrigjohej gabimi i ndryshimeve të Kodit Penal në vitin 2023, me të cilat praktikisht u amnistuan shumë funksionarë në lidhje me veprat penale për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe shoqërim kriminal. Mickoski, megjithatë thekson se pavarësisht këtyre ndryshimeve, përgjegjësi do të ketë.

“Këto kriminelë politik e kanë bërë për vete që të mbrohen, ne tani edhe nëse sjellim më rigoroz edhe gijotina të sjellim do të thirren te ky që i amniston pasi që e dinë se morën qindra miliona para të juaja, para të popullit. Përndryshe, po do ta kapim Kodin Penal në reformat kur të hyjmë në sistemin gjyqësor. Por ta dini se ajo nuk e zgjidh problemin me këto kriminelë në 7 vitet e kaluara”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai është optimist për një pajtueshmëri mes pushtetit dhe opozitës për rikthimet e neneve, në bazë të të cilave shumë lëndë të funksionarëve shpëtuan nga përgjegjësia penale.

“Më vjen mirë që shumica, thuajse të gjithë në fakt, përfshirë edhe vetë opozitën distancohet nga veprimet e tyre të mëparshme në këtë drejtim dhe duket se ka pajtim ndërmjet të të gjitha palëve për një Kod të ri Penal i cili është në përputhje me politikën evropiane. I cili pamundëson vjetërsimin e lëndëve siç kemi parë në të kaluarën pas ndryshimeve të vitit të fundit dhe i cili është në përputhje edhe me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtar”, tha Arben Fetai, zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë.

Alsat ka siguruar qasje në propozim Kodin e ri Penal.

Siç mund të shihet, në Kodin e ri është riformuluar neni 353 i cili ka të bëjë me shpërdorimin e detyrës zyrtare, sidomos në paragrafin 3 ku ndëshkimi për shkaktim të dëmit të madh propozohet të jetë në lartësi prej 3 deri në 10 vjet dhe jo sikur aktualisht prej 1 deri në 4 vjet. Situata është më ndryshe është në nenin 353v, i cili parashikon masa ndëshkuese për punë të pandërgjegjshëm në detyrë. Në paragrafin 1, parashikohet zbutje e dënimit për funksionarët që shkelin dispozitat ligjore për konflikt interesi. Në kodet e mëparshme, për këtë vepër parashikohej dënim me burg prej 3 muaj deri në tre vjet, ndërkaq tani parashikohet dënim me para ose me burg deri në 1 vit. Lehtësim parashikohet edhe për veprën e paragrafit 2, për shkaktim të dëmit më të madh. Paraprakisht dhe aktualisht, dënimi për këtë ishte prej gjashtë muaj deri në 5 vjet, tani propozohet të jetë prej gjashtë muaj deri në 3 vjet. Në ndërkohë propozohet të shtohet dhe një nen që parashikon dënim për ata që shkaktojnë dëme të mëdha ose përfitojnë shumë të madhe. Dënimi për këtë vepër, propozohet të jetë prej 1 deri në 10 vjet.

Për veprën e shoqërimit kriminal parashikohet të rikthehet paragrafi 1, për të cilën me ndryshimet e vitit 2023 u zbut ndëshkimi. Momentalisht dënimi për këtë vepër është prej 1 deri në 3 vjet burg, por propozohet të bëhet prej 1 deri në 10 vjet burg. Do të rikthehet masa e dënimit edhe për anëtarët e grupit kriminal. Gjegjësisht, propozohet që dënimi të jetë ashtu siç ishte para vitit 2023, prej një deri në 5 vjet burg.

Për këto dhe ndryshimet tjera të Kodit Penal, Komisioni Evropian duhet të japë mendim pas çka, duhet të kalojë në Qeveri dhe më pas të miratohet në Kuvend. Sipas ekspertëve tërë ky proces mund të zgjasë, prandaj, derisa të hyjë në fuqi Kodi i ri, rekomandohet që me urgjencë Kuvendi t’i rikthejë paragrafët e vjetra me qëllim që të mos bëhet dëm edhe më i madh. /Alsat