Taravari: Shqyrtohet konkursi për specializimet

Pas premtimit se pas dy muajve do të hapen konkurset për specializimet e reja, tani ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, shqyrton mundësin që deri në fund të dhjetorit të hapet konkursi. Sipas tij, më së shumti konkurse do të ketë në drejtimet ku ka deficit të specializantëve. Taravari shtyn afatin edhe për vënien në funksion të stacionit kompresor në klinikën e kirurgjisë, i cili ishte paralajmëruar për në dhjetor. Ministri thotë se kompania që ka marrë tenderin për kompresorin duhet ta realizoj deri në fund të janarit.

“Besoj se në fund të dhjetorit. Jemi duke bërë një strategji me fakultet e mjekësisë, në Shkup, Shtip dhe në Tetovë, që të sinkronizojmë çfarë na mungon më së shumti. Duam që kur të hapet konkursi të ketë më shumë vende për ato specializime që na mungojnë si shtet dhe më pak prej atyre prej të cilave kemi më shumë në shtetin tonë”, tha Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.