Ohri dhe Struga po e presin edhe një sezon të dimrit nën ethet e ajrit të ndotur

Ohri dhe Struga kanë më shpesh të njëjtin fat si qytetet e mëdha dhe thithin ajër të ndotur, veçanërisht në dimër, kur grimcat PM arrijnë vlera alarmante, shkruan Alsat.

Ndonëse konsiderohet se burimet kryesore për këtë janë mënyra e ngrohjes në amvisëri dhe trafiku, ndër shkaqet e ndotjes tregohet edhe betonizimi masiv i dy qyteteve me blloqe të mëdha banimi, që pengojnë depërtimin e ajrit të liqenit.

Kryetari i Ohrit thotë se masat që janë marrë vite më parë për subvencionimin e mënyrës së ngrohjes dhe transportit nuk po japin rezultat. Ai tha se këtë vit do të subvencionojnë blerjen e kondicionerëve.

“Kjo është më e pakta që mund të bëjmë. Por këto masa janë më pak se niveli mikro. Sepse nga viti 2021, 2022, goditjet e çmimeve, që kanë ndjerë qytetarët dhe bizneset në lidhje me energjinë elektrike, nuk i japin aq shumë nxitje njerëzve që të ndryshojnë mënyrën e ngrohjes me dru zjarri”, tha Kiril Pecakov-kryetar i komunës së Ohrit.

Ndërsa gazifikimi është larg realizimit, avokati Aleksandar Gojo thotë se qytetarëve u mbetet që për ndotjen e ajrit ta padisin shtetin apo komunat.

“Gjykata Supreme ka mbajtur qëndrim parimor dhe ka dhënë mendim pozitiv se është e drejtë e njeriut, se organet shtetërore mund t’u nënshtrohen kërkesave për të drejtat e njeriut nga qytetarët dhe të gjithë personat e tjerë juridikë dhe se ato në thelb mund të obligohen nga gjykatat, nëse plotësohen të gjitha kushtet, t’i detyrojnë ato plane dhe programe t’i miratojnë, siç janë të detyruara me rregulloret ligjore. Hapet fushë për llogaridhënie më të madhe nga ana e të gjitha autoriteteve shtetërore dhe lokale”, theksoi Aleksandër Gojo – avokat.

Në të kaluarën, qytetarët e kanë paditur edhe shtetin, por kontestimet janë zvarritur me vite.