Do të ndërtohet por kushedi kur” ky është qëndrimi i banorëve të Ohrit pas njoftimeve të djeshme se në një të ardhme të afërt do të duhet një orë e gjysmë për të arritur nga Shkupi në Ohër.
Të “djegur” nga saga me magjistralen Ohër-Kërçovë, qytetarët tashmë nuk kanë pritshmëri të mëdha, përcjell FLAKA.
Shumica besojnë se autostrada Gostivar-Kërçovë do të ndërtohet, por jo brenda afatit të caktuar.
Arsyet kryesore për vonesën e projektit Kërçovë-Ohër ishin dokumentacioni i keq dhe jo i plotë, gërmimet gjeoteknike, shpronësimi i paligjshëm i tokës dhe procedurat administrative të zbatuara në mënyrë joefikase.
Afati i parë deri në të cilin duhej të përfundonte kjo autostradë ishte viti 2018. Pak muaj më parë u tha se më shumë se 45 për qind e punimeve ishin kryer.
Por menjëherë pas kësaj erdhi një Qeveri e re dhe afati fillimisht u shty deri në qershor 2021 dhe më pas deri në fund të vitit 2023. Pasi kaloi ky afat dhe qeveria ndryshoi sërish, tani premtimet janë që itinerari do të jetë gati deri në fund të vitit 2026. Një pjesë e madhe e ekspertëve thanë në disa raste se projekti ishte i nxituar që në fillim. FLAKA