Në periudhën e kaluar janë zbuluar parregullsi të rënda në punën e Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZhT). Rreth 60 kompani nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre dhe kanë keqpërdorur fondet për projekte fantome, ndërsa disa objekte private shëndetësore kanë shfrytëzuar fonde gjatë krizës së Covid-it, kur shëndetësia shtetërore ishte në kolaps, njoftoi në një konferencë për shtyp u.d drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik Nikolla Dodov!
Siç theksoi ai, një borxh prej rreth 3.2 milionë euro ende nuk është kthyer në buxhet dhe menaxhmenti i ri po merr masa për arkëtimin e tij dhe tashmë janë arkëtuar rreth 600 mijë euro.
Revizioni i brendshëm identifikoi kontrata të jo-përkatëse dhe praktika të dyshimta, duke përfshirë firma të lidhura me zyrtarë politikë. Aktivitete të dyshimta përfshijnë edhe kompani që kanë marrë grante të shumta për projekte identike, si dhe favorizojnë qytete të caktuara të shtetit për miratimin e fondeve.
“Menaxhmenti i mëparshëm ka punuar në mënyrë joefikase dhe jo produktive dhe auditimi i posaçëm aktual synon të kthejë besimin dhe integritetin e institucionit”, tha ai.
Sipas tij, FIZhT në vend që të merrte masa ndaj debitorëve, përkundrazi, ka bërë pagesa për kompanitë që nuk respektonin rregulloret e vonuara dhe ishin debitore. Kjo, siç vlerëson ai, paraqet goditje të rëndë për integritetin e institucionit dhe vë në pikëpyetje kapacitetet e tij për menaxhim efikas të fondeve publike. Siç njoftoi ai, do të merren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar transparencë dhe përgjegjësi në përdorimin e fondeve shtetërore.
“Si pjesë e auditimit në vazhdim, po i kushtojmë vëmendje të veçantë njërës prej çështjeve kyçe – mbi çfarë baze ligjore dhe sipas cilës procedurë janë bërë përfitues të fondeve nga Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik objektet private shëndetësore (OPSh). Aktualisht bëhet fjalë për rreth 50 objekte private shëndetësore që kanë qenë përfituese të fondeve nga Fondi në pesë vitet e fundit. Gjithashtu ka të dhëna se në të kaluarën disa vendime mund të jenë marrë në bazë të marrëveshjeve politike dhe jo në përputhje me procedurat ligjore, të cilat do të hetohen më tej.
Në periudhën e fundit, Fondi i Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik ka hasur në informacione që tregojnë për praktika të dyshimta në menaxhimin e fondeve publike. Bëhet fjalë për një kompani, e cila është në lidhje të drejtpërdrejtë familjare me zyrtarë të lartë të qeverisë LSDM-BDI, e cila ka marrë mjete të konsiderueshme financiare nga fondet e shtetit. Kjo jo vetëm që vë në dyshim transparencën e procesit të financimit, por gjithashtu ngre shqetësime për konflikte të mundshme interesi dhe nepotizëm.
Sipas hulumtimit tonë, menaxheri i kompanisë jo vetëm që merr burime financiare nga fondi, por i njëjti person menaxhon deri në katër kompani të ndryshme që kanë marrë edhe burime financiare nga Fondi. Është shqetësues fakti se gati 80% e mjeteve që ai merr nga këto kompani i kalon të njëjtës kompani dhe për të njëjtin shërbim, gjatë aktiviteteve të projektit. Kjo sjellje krijon dyshime legjitime për praktika joetike dhe korrupsion. Kjo situatë jo vetëm që kërcënon parimet bazë të transparencës dhe llogaridhënies, por cenon edhe themelet e shtetit ligjor.
Secili prej nesh ka përgjegjësi në këtë situatë. Ne jemi këtu jo vetëm për të menaxhuar, por edhe për të krijuar një mjedis ku inovacioni mund të lulëzojë. Mbështetja dhe interesimi juaj janë vendimtare në këtë luftë për një të ardhme më të mirë”, theksoi Dodov.
Ndryshe, më 14 tetor, Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ka publikuar listën më të fundit të debitorëve për tetor 2024, e cila përfshin borxhet e skaduara deri më 30 qershor 2024 dhe që nuk janë paguar deri në fund të muajit shtator.
Në listë ndodhen 1.976 persona juridikë dhe 3.786 persona fizikë. Shuma totale e borxhit neto të këtyre debitorëve arrin në 11.042.537.967 denarë.
Kjo shumë përbën një shumë të konsiderueshme dhe tregon nevojën për përmirësim të detyrimeve paguese në ekonomi.
Nga ky borxh, borxhi neto për taksat dhe kontributet është 10.884.428.089 denarë, ku është regjistruar një ulje prej 45.943.439 denarë krahasuar me publikimin paraprak.