Strugë/ Ngecin hetimet për zjarrin ku u dogjën 200 makina

Dy muaj pas zjarrit që përfshiu tre depo makinash në Veleshtë të Strugës, policia dhe Prokuroria ende nuk bëjnë të ditur se cilat ishin shkaqet e zjarrit, në të cilin u dogjën mbi 200 vetura, shkruan Alsat.

“Prokuroria Themelore Publike Strugë ka lëshuar të gjitha urdhrat e nevojshme për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit dhe identifikimin e autorit të mundshëm të veprës penale. Ministria e Punëve të Brendshme vepron sipas urdhrave”, tha Prokuroria Themelore, Strugë.

“Të gjitha masat e mëtejshme për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e autorit po zhvillohen sipas udhëzimeve dhe drejtimeve të Prokurorit publik. Hetimi po vazhdon”, u shpreh Sektori për Punë të Brendshma, Ohër.

Në shtator kur ndodhi zjarri, pronarët e makinave i thanë Alsat se makinat nuk ishin të siguruara dhe se një pjesë e tyre ishin të klientëve, të cilët ua kishin sjellë për ndërrim të pjesëve. Ata dyshojnë se zjarri është vënë qëllimisht dhe se gjithçka është djegur në vetëm gjysmë ore.

Që atëherë, policia deklaronte se ka dalë në terren, ka bërë kontroll dhe ka konstatuar se në tre depo janë djegur qindra makina. Disa qytetarë përfunduan në spital për shkak të tymit kurse ndërtesat që ndodheshin pranë tyre u shpëtuan në kohë.