Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi në Click Plus ka deklaruar se marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut nuk janë dëmtuar.
Duke folur për Gjykatën Kushtetuese, ai tha se mund të thuhet se ajo paraqet mjet për prishjen e këtyre marrëdhënieve, duke përmendur zhbërjen e “balancuesit” dhe shqyrtimin në të ardhmen edhe të Ligjit për gjuhët.
“Realisht nuk ka asnjë dëmtim të marrëdhënieve ndëretnike që është i shtyrë nga organet qeveritare. Do të thotë nuk keni asnjë gjë me të cilën ju mund ta faktoni se Qeveria është ajo që po i dëmton marrëdhëniet ndëretnike. Nuk kemi asnjë rast të këtillë dhe as ju si media dhe as edhe ndonjë në opinion mund ta dëshmojë këtë. A ka nxitje të prishjes së marrëdhënieve ndëretnike nga institucione të tjera të shtetit, po! Ne kemi Gjykatën Kushtetuese e cila duke abuzuar me fuqinë e saj për ta zhbërë balancuesin dhe çështjen e ligjit të gjuhës shqope, që nuk e dimë se kur i vjen rendi. Do të thotë ajo është bërë mjeti që ka mundësi të ndikojë në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike. Por, e vërteta është se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk janë votuar nga kjo përbërje qeveritare dhe fakti se ata janë votuar nga përbërja qeveritare e kaluar, le për të kuptuar se edhe ajo është nën ndikim të politikës së nomenklaturës së kaluar… Ne si Qeveri nuk e kemi fuqinë të ndikojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Ibrahimi.