Ish zv. drejtori i Drejtorisë së doganave, Muharrem Hasani, në profilin e tij në facebook i ka reaguar deputetit të VLEN, Rijad Shaqirit, duke thënë se përderisa ishte ai zv. drejtor nuk i është hakmarrë askujt. Ai shton se të gjithë këto gënjeshtra po bëhen me qëllim të defokusohet opinioni për degradimin që po iu bëhet shqiptarëve në Doganat e Maqedonisë.
Më poshtë e keni reagimin e plotë të tij:
“Deputeti i VLEN-it, Rijad Shaqiri më paska përmend, duke më akuzuar se, gjoja, unë si zëvendësdrejtor i Doganave, i paskam dërguar kontroll derisa i njëjti, ishte i punësuar në Doganë.
Me përgjegjësinë me të madhe morale dhe profesionale, mohoj çdo akuzë të deputetit aktual dhe, megjithëse gënjeu publikisht, më duhet ti them se Muharrem Hasani deri më sot nuk ka vepruar asnjëherë me tendencë hakmarrëse ndaj askujt!
Akuzat e rreme të deputetit nuk janë asgjë tjetër pos tentim për të defokusuar opinionin lidhur me degradimin sistematik që po ju ndodhë punonjësve shqiptarë në Doganat e Maqedonisë, e që deputeti Shaqiri sillet si “këshilltar kadrovik” sidomos kur bëhet fjalë për mobingun dhe nënçmimin ndaj punonjësve shqiptarë.
Sidoqoftë, e përkujtoj deputetin Shaqiri se, unë – Muharrem Hasani vazhdoj të kem respektin e secilit punonjës si në Doganë ashtu edhe në institucionet tjera ku kam punuar, ndërkohë që ti do mbahesh mend për gënjeshtrat, dështimin dhe nënçmimin që u ke bërë dhe u bën shqiptarëve!
Kaq për ty dhe sojin tënd!
M.H.”, tha në reagimin e tij Muharrem Hasani ish zv. drejtori i Drejtorisë së doganave.