NË MESIN E BIJVE TË VËRTETË TË SHQIPES

Filadelfia, më
13 tettor 2024 I nderuar kryetar z. Dritan Matraku, kryetar i Shoqatës “Bijtë e shqipes”! E nderuar Kryesi! Të nderuar anëtarë! Të nderuar motra e vëllezër pjesëmarrës! Kam kënaqësinë që sot t’ u drejtohem juve “Bijve të shqipes” dhe mikeshave e miqve të pranishëm në këtë ditë solemne, të inaugurimit të ndërtesës së re dhe të them nja dy fjalë në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë. Që nga themelimi i të dyja Shoqatave e gjer më sot kemi pasur, kemi dhe do të kemi edhe në të ardhmen një bashkëpunim të frytshëm sa kulturor po aq vëllazëror. Për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, dyert e Shoqatës “Bijtë e shqipes” kanë qenë të hapura gjithmonë, për përurimin e librave, për mbajtjen e aktiviteteve të ndryshme, letrare e kulturore, me ardhjen e personaliteteve të ndryshme nga atdheu dhe nga diaspora. Saherë kemi qenë këtu në mesin tuaj, e kemi ndier veten më shumë shkrimtarë, e kemi ndierë veten më shumë atdhetarë, e kemi ndier veten më shumë shqiptarë sepse ju jeni Bijat dhe Bijtë e vërtetë të shqipes. Më lejoni tani t’ i them pak fjalë për mësueset dhe prindërit e kësaj shkolle nga përvoja ime si mësues sepse jam i sigurtë se në një të ardhme të afërt do të kenë vështirësi në mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor. Të nderuar prindër, fëmijët tuaj ndjekin shkollat publike, arsimimi dhe arritjet e tyre më gëzojnë pa masë, ashtu siç gëzoheni ju. Edhe Fan Noli ynë, arsimin fillor dhe të mesëm e mori në shkollat greke, por Fan Noli ishte si puna e rosakut, i cili hyri në ujë e doli pa u lagur! Pa u asimiluar, sepse me edukimin e Fan Nolit ishte marrë nëna dhe gjyshja e tij. Shikoni sesa i rëndësishëm është edukimi që merr fëmija në familje. Në qoftë se ne i themi fëmijëve, mbesave dhe nipërve: mos shko sot në shkollë, ç’ të duhet të mësosh shqipen...! Fëmijët atë presin, janë të vegjël nuk logjikojnë dot! Po nëse ia ngjallim dashurinë ndaj gjuhës, adeteve dhe zakoneve tona ata me gjithë qejf do të vijnë këtu në shkollë për të mësuar shqipen tonë hyjnore. Në të ardhmen prindërit, stafin e mëueseve, udhëheqjen e Qendrës i presin sfida të mëdha. Të gjithë së bashku duhet t’ i përqëndrojnë forcat, në biseda me prindër që t’ i bindin ata që fëmijët e tyre t’ i dërgojnë në shkollën shqipe. Vështirësitë do të jenë edhe më të mëdha sepse disa prindër nuk e flasin më shqipen, të tjerë kanë presion nga disa mësues të shkollave publike amerikane. Ata i thonë prindit: “Nëse do që vajza apo djali juaj të ketë sukses, nuk do t’ i flisni në shtëpi në gjuhën tuaj, sepse e pengon në nxënien e mësimeve në gjuhën angleze...!” Prindërit dorëzohen menjëherë para këtij “presioni të lehtë” por tepër i dëmshëm për prindërit dhe fëmijët shqiptarë! Çdo prind do që fëmija e tij të arrijë sukses në shoqërinë amerikane. Ky mendim i ndonjë pedagogu amerikan, bënë që prindërit t’ i nështrohen me apo pa vetëdije asimilimit! Ky është një absurditet i kohës sonë, me të cilin ballafaqohen prindërit shqiptarë. Mendime të tilla e vënë në dilemë prindin shqiptar. Atëherë shtrohet pyetja: a mund të jetë e vërtetë kjo? Si pedagog e hedh poshtë këtë mendim të disa mësuesve amerikanë të shkollave publike. Sistemi arsimor në Maqedoni, në Kosovë dhe në Shqipëri parasheh mësimin e pesë gjuhëve që nga tetëvjeçarja e gjer në shkollë të mesme, ndërsa nga klasa e parë mësojnë anglishten dhe në Maqedoni nga klasa e katërt i shtohet edhe maqedonishtja. Dhe nxënësit shqiptarë që në tetëvjeçare njihen me anglishten, gjermanishten, frëngjishten maqedonishten dhe shqipen. Në shkollë të mesme ata më i flasin rrjedhshëm të pesë gjuhët, pa kurrfarë vështirësie. Gjuha e nënës është bazë për mësimin e gjuhëve të huaja dhe jo pengesë siç mundohen ta paraqesin disa pedagogë. Vështirësi në mësime te shkollat publike mund të ketë, ndonjë fëmijë, e them me keqardhje këtë, me zhvillim të vonuar psikik..! Por nuk mund të kenë pengesa dhe vështirësi nxënësit me zhvillim normal. Nuk është thënë kot se në kohë të njëjtë dhe probleme e ngjarje të njëjta në shoqëri edhe përjetimet e shkrimet e shkrimtarëve e studiuesve, përafërsisht do të jenë të njëjtë. Kështu, për problemin që po trajtoj rreth mësimit të gjuhës mëmë, pothuaj të njëjta vështirësi në shkollë, i has edhe mësuesja Merita Isufi nga Londra, e cila midis tjerash në gazetën “The Albanian” 2020, f. 13 shkruan: “Nga eksperienca shumëvjeçare në ambientet e shkollave angleze, kam vënë re se shumë prindër e vënë në dyshim mësimin e dy gjuhëve përnjëherësh, sidomos në vitet e para të jetës, pasi mendojnë se fëmijët pështjellohen – hutohen. Hulumtimet tregojnë që kjo nuk është aspak e vërtetë, përkundrazi është avantazh kur flitet më shumë se një gjuhë. Gjuha e parë duhet të jetë gjuha mëmë. Prindërit gjithnjë i kemi inkurajuar që të flasin gjuhën mëmë në shtëpi, pasi ajo është gjuha që ata e flasin më mirë. Fëmijët përfitojnë nga mësimi i gjuhës prej prindërve të tyre, vetëm nëse prindërit janë konfident (të besueshëm), në atë gjuhë. Fëmijët që kanë përvetësim të mirë të gjuhës mëmë, kanë më shumë mundësi të mësojnë gjuhën e dytë në rregull, cilado qoftë ajo, pasi kanë më shumë siguri.” Ka ndonjë prind të pandërgjegjshëm që thotë: “Vajza apo djali im nuk dua ta mësojnë gjuhën shqipe!” Nëse i bën pyetjen: pse nuk do që fëmija jote ta mësojë gjuhën shqipe? S’ ka përgjigje! Përgjigjja ime është kjo për këtë prind të pandërgjegjshëm: Në qoftë se ti nuk do që djali jot ta mësojë shqipen, atëherë dërgoje në shkollë si amerikan, si amerikan që është ai do të jetë i pasur edhe me një gjuhë siç është gjuha e nënës tënde, gjuha jonë hyjnore. Vështirësitë dhe sfidat e mësipërme që theksova, në një të ardhme të afërt do t’ i kenë edhe Shoqatat tjera shqiptare në mbarë Amerikën, së shpejti edhe ato shkolla do të kenë brezin e tretë dhe të katërt të të lindurve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një dukuri te shqiptarët që kam vënë re kohët e fundit, është se ka fëmijë që janë gjenerata e dytë këtu dhe s’ e flasin dot shqipen edhe pse prindërit e tyre kanë ardhur pas vitit 1992. Në të ardhmen për mësueset, mësuesit, për prindërit shqiptarë do të jetë një sfidë e guximshme, për të mbrojtur brezin e ri, lulen e rinisë shqiptare nga asimilimi. Amerika zaten ka asimiluar popuj të mëdhenj siç janë: italianët, gjermanët, e shumë popuj të tjerë edhe pse shteti amerikan ua krijon kushtet për edukim dhe arsimim në gjuhën amëtare. Lejon hapjen shkollave private Charter school dhe bën finacimin e tyre shteti amerikan, në të cilat shkolla gjuha amëtare është gjuhë e dytë, e që mësohet gjatë gjithë javës dhe jo vetëm nga 2- 3 orë, vetëm të shtunave siç mësohet sot nëpër disa Qendra Kulturore Shqiptaro – Amerikane apo nëpër Shoqata të ndryshme. Pse shqiptarët nuk e shfrytëzojnë këtë të drejtë apo kanë përqafuar asimilimin?! Nëse kjo vërtetohet, atëherë është e dhimbshme, tepër e dhimbshme! Shteti amerikan ua jep të gjitha mundësitë, për ruajtjen e gjuhës, adeteve, zakoneve e kulturës, shfrytëzoni ato! Gëzuar të punoni në këtë godinë kaq të bukur e që e ndërtuat me aq mund të madh! Ju priftë e mbara!

Filadelfia, më
13 tettor 2024

Me nderime
Prof. dr. Bexhet Asani
Sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve
Shqiptaro – Amerikanë