Reagim i këshilltarëve të BDI-së në Kumanovë: Ridvan Dervishi, Fitor Jakupi, Arta Memeti-Ademi dhe Mendu Asani:
Është e papranueshme që kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrevski, të deklarohet i lumtur dhe i respektuar për pjesëmarrjen e tij në botimin e një libri ku UÇK-ja përmendet si organizatë terroriste. Kjo tregon qartë se ai nuk ka kurrfarë ndjeshmërie ndaj historisë dhe vuajtjeve të popullit shqiptar.
Ndërkohë, fakti që pozita shqiptare (VLEN)vazhdon të jetë vazale ndaj politikave të tij, duke mbështetur veprimet e tij, është edhe më shqetësues. Ata duhet të marrin një qëndrim të prerë dhe të kërkojnë llogari nga kryetari për deklaratat e tij ofenduese dhe mosveprimin për të zgjidhur problemet e qytetit.
Komuna e Kumanovës është fundosur në aroma të këqija të mbeturinave, duke dëshmuar mosinteresimin dhe indiferencën e kryetarit ndaj mirëqenies së qytetarëve. Kjo situatë e rëndë kërkon veprim të menjëhershëm dhe zgjidhje konkrete, jo deklarata boshe.
Ne presim që pozita shqiptare (VLEN)të tregojë guxim dhe të dalë në mbrojtje të interesave të qytetarëve, duke kërkuar llogari nga Dimitrevski për veprimet e tij të papranueshme. Kumanova meriton një udhëheqje që e respekton dhe i shërben të gjithë banorëve të saj, pa dallim.
Deklaratat e vazhdueshme të kryetarit të komunës, Maksim Dimitrevski, janë jashtëzakonisht tendencioze dhe kontribuojnë në intensifikimin e tensioneve mes bashkëqytetarëve tanë. Kjo sjellje është jo vetëm e papranueshme, por gjithashtu i dëmton marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve dhe krijon një atmosferë të pasigurisë dhe mosbesimit.
Kryetari duhet të kuptojë se fjalët e tij kanë pasoja dhe se ato ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve. Në vend që të ndihmojë në ndërtimin e një bashkëjetese paqësore, ai po nxit ndasi dhe përçarje mes grupeve të ndryshme.