Si më din qofsha, si jam mos qofsha!
Nga Rudina Koromani
E keni parasysh atë momentin kur shikoni një sjellje apo lexoni dikë që e adhuronit, në mediat sociale (facebook, instagram, tik-tok) e thoni me vete : Mos përfundofsha kurrë si ky apo si kjo?
Duke besuar në arritjet e sukseset virtuale me mijëra ndjekësa, ndonëse rritje artificiale në shumicën prej tyre, disa persona përfundojnë të besojnë se kanë kapur majat duke e besuar dhe vetë “imazhin brilant”që kanë trumpetuar virtualisht, e vetja në qef përfundon të tregojë në euforinë e pushtuar dhe gjëra nuk do i shfaqnin kurrë.
Sot, mediat sociale kanë mundësuar lirinë e shprehjes së jetës së gjithsecilit, liri që ka shpalosur filozofitë që ata përqafojnë lidhur me besimet, qëndrimet e mënyrën sesi e shohin jetën e pak nga pak po shfaq dhe rrëshqitjet Open Mind në disa syresh. I shohim e themi me vete shprehjen shkodrane: “Mos të hypë vetja në qef”
Këto momente, kur ju mendoni e thoni këto shprehje, lidhen me proçese të njohjes së limiteve të vetes, me ato kufij që ju bëni e sdo donit t’i bënit, proçes psikologjik mjaft i rëndësishëm i cili mundësohet nga fenomeni social i Krahasimit me të tjerët… e pikërisht kur shohim dikë (që e kemi vlerësuar dhe e ndjekim me adhurim në gjithshka bën me qëllimin që të bëhemi si ai apo ajo), në një veprim që ne na duket “jo normal” shohim limitet e vetes tonë.
Në këtë rast krahasimi social ka efekte pozitive duke na distancuar e na bërë më të ndërgjegjshëm për veten dhe shoqërinë ku jetojmë. Një pjesë e njohjes së vetes tonë vjen pikërisht nga krahasimi me të tjerët. Sa herë jemi në grupime njerëzish, ne kemi një tendencë për të krahasuar veten dhe zakonisht formojmë një lloj hierarkie, formale ose të pathënë.
Pikërisht kjo ndodh dhe në mediat sociale, ku nuk mungojnë grupimet, preferencat e krahasimet. Grupet, klubet, klanet në prezantimet e tyre virtuale duket sikur janë në garë të vazhdueshme të arritjeve dhe sukseseve që kapin, të cilat aktualisht maten me numrin e shikueshmërisë së ndjekësve dhe like-ve,( ndonëse shumica e tyre janë jo reale, numra të blera për 10 apo 100 dollarë). Nga ata me arritje të larta deri tek ata që kërkojnë miq dhe argëtim, ne priremi të krahasohemi.
Krahasimi social është një dinamikë e zakonshme njerëzore i cili ndjehet dukshëm që shkollën fillore kur fëmijët ndjekin trendet prezente të kohës, kur shikojnë të njëjtat shfaqje ose kur nuk luajnë të njëjtat lojëra si të gjithë të tjerët. Në shkollën e mesme emrat e markave, emrat e artistëve të preferuar, numri i klikimeve dhe miqve përbëjnë vetëm disa nga presionet e krahasimit shoqëror: krahasimi i pamjes, statusit shoqëror, sendeve materiale, madje edhe marrëdhënieve.
Këto presione shoqërore vijojnë më pas me trendet për të hyrë në kolegjet më të mira, gjetjen e punëve më të mira, martesat me dikë që miqtë mund ta kenë zili dhe dëshirat për të ndërtuar një jetë të përsosur.
Krahasimi i vetes me të tjerët është një sjellje e natyrshme njerëzore që ka evoluar për të na ndihmuar të jetojmë së bashku si një grup koheziv, për të na ndihmuar të mësojmë nga njëri-tjetri dhe për të na mbajtur të mos biem shumë prapa potencialit tonë. Gjithashtu na ndihmon të përcaktojmë veten, të vlerësojmë se si po ecim në fusha të ndryshme të jetës bazuar në atë që duket të jetë e mundur dhe madje mund të duket se na ndihmon të ndihemi më mirë me veten në shumë raste.
Studiuesit identifikojnë dy lloje të krahasimit social: krahasimi social lart, ku ne shikojmë njerëzit që ndiejmë se janë më mirë se ne, në përpjekje për t’u frymëzuar dhe më shpresëdhënës, dhe krahasimet sociale poshtë, ku shikojmë njerëzit që mendojmë se janë më keq se ne, në një përpjekje për t’u ndjerë më mirë për veten dhe situatën tonë aktuale. Këto krahasime nuk janë gjithmonë të këqija për ne, por ndonjëherë mund të jenë më pak të dobishme sesa mendojmë se do të jenë, dhe nganjëherë janë vërtet të këqija për lumturinë dhe nivelet tona të stresit.
Disa nga faktorët që ndikojnë nëse krahasimet sociale janë të dobishme apo të dëmshme janë vetëvlerësimi ynë, stresorët që kemi tashmë në jetën tonë dhe nëse po bëjmë krahasime sociale nga lart apo nga poshtë. Mediat sociale e kanë çuar krahasimin social në një nivel krejtësisht të ri gjatë disa viteve të fundit. Ne shohim jetën e gjithkujt sot, të atyre që e shfaqin… dhe mund të stresohemi duke pyetur veten nëse po bëjmë mjaftueshëm, nëse po fitojmë mjaftueshëm, nëse po e shijojmë mjaftueshëm jetën.
Përfundojmë të krahasojmë jetën tonë të zakonshme me imazhet më të mira e më të kuruara të të tjerëve e ndjehemi keq psikologjikisht me jetën tonë. Ndërkohë që ne nuk e dimë nëse ata thjesht po postojnë momentet e tyre kryesore dhe fotot më të mira nga dhjetëra, apo nëse vërtet po ndajnë ngjarje të rastësishme dhe spontane ndërsa ndodhin… virtualiteti lë shumë vend për mashtrim.
Sido që të jetë, shumë njerëz zbulojnë se mediat sociale e përkeqësojnë krahasimin social në të mënyrat më të këqija, duke i bërë shumë prej nesh të ndihen më keq për veten, dhe studimet shkencore duket se e mbështesin këtë fakt. Por, sëfundmi, po ndodh dhe e kundërta me fenomenin që është në zhvillim. Efektet pozitive të krahasimit social po vërehen dukshëm për të njëjtat fenomene teksa shohim puzzelin e plote të tyre. I shohim në disa sjellje që i perceptojmë të paparanueshme/ degraduese/ të çmendura… e menjëherë ndihemi mirë me qëndrueshmërinë e vetes tonë.
Kjo ndodh edhe në skenarë të rastësishëm, të jetës reale: e keni gjetur veten duke ndjerë një tronditje të vogël kënaqësie kur dëgjoni se dikush (që ishte para jush, e për të cilin flisnin të gjithë), është rrëzuar paksa (teksa i ka dalë një e vërtetë e hidhur), që ju bën të ndiheni më me fat në krahasim? Kjo është qënia njerëzore…krahasohet gjithmonë për të parë e përcaktuar rrugëtimin e vetes. Ndërsa këto ndjenja ndonjëherë mund të jenë automatike, ne nuk kemi nevojë të lejojmë që instinktet tona ndaj krahasimit shoqëror të jenë një pjesë e rëndësishme e asaj që jemi. Njerëzit që kanë vetëbesim më të lartë dhe më pak stresorë në jetën e tyre priren të kalojnë më mirë me krahasimet sociale. Për shembull, në përgjithësi, kur bëjmë krahasime sociale poshtë duke krahasuar veten me ata që janë më pak të pasur, në përgjithësi na bën të ndihemi më mirë.
Megjithatë, ata me vetëbesim të lartë përjetojnë një goditje më të madhe. Ata me vetëbesim më të ulët, priren të përdorin më shpesh krahasime poshtë, fakt që mund t’i bëj të ndihen më mirë, megjithatë, mund të ndihen më keq kur bëjnë krahasime sociale në rritje, duke përjetuar një rënie të humorit dhe shpesh një rritje të stresit. Ka një aspekt pozitiv në konkurencën e krahasimit social. Kur miqtë tanë janë të gjithë mirë, ata na frymëzojnë që të jemi edhe më të mirët, gjë që është avantazhi i krahasimit social nga lart.
Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse ata ndajnë sekretet e suksesit real të tyre. Dhe kur e krahasojmë veten me të tjerët që janë më keq se ne, priremi të vlerësojmë atë që kemi duke u ndjerë më mirënjohës dhe më të ndjeshëm. Kush zgjedh të shfaqë gjithçka rrezikon t’i dalin dhe papërsosmëritë, sepse qënia njerëzore nuk është perfekte. Vlonjatët përdorin një shprehje shumë të bukur lidhur me masën e asaj që shfaqim e mbajmë: Si më din qofsha, si jam mos qofsha!
krahasimisocial #si_me_din_qofsha
Rudina Koromani