SHKOI NË AMSHIM APOLOGJETI (MBROJTËSI) I GJUHËS LETRARE SHQIPE Prof. Tahir Hoda shkoi në amshim. La të pikëlluar familjarët, shoqet e shokët, ish nxënësit e tij të dashur të cilët flasin me admirim për mësimdhënësin e tyre të palodhshëm. Tahir Hoda ishte njëri nga njohësit më të mirë të Gjuhës së Sotme Letrare Shqipe. Ai ishte një apologjet i shkëlqyer i Gjuhës Standarde Shqipe. Ishte autor i teksteve shkollore për Gjuhën Shqipe për klasat e tetëvjeçares. Ishte aktiv në rrjetet sociale me shkrimet e tij për Gjuhën Letrare Shqipe. Atë e shqetësonin artikujt nëpër portale që e përdhosnin gjuhën shqipe! Reagimet e tij ishin të shpejta e të rrufeshme e me argumente shkencore mbronte shqipen e tij të dashur. Prof. Tahir Hoda jo vetëm që e shkruante por edhe e fliste për mrekulli Gjuhën e Sotme Letrare. Qoftë i përjetshëm kujtimi për mësimdhënësin Tahir Hodën!