A po ringjallet aksi pan-sllavist?!
Nga Dr. Adil MUSTAFA
Kërcovë 21-10-2924
Kohët e fundit ka një përpjekje për të forcuar boshtin pan- sllavist që nis në Beograd dhe përfundon në Moskë. Është një tendencë e hapur kundër zhvillimit të Kombit Shqiptar për rrjedhojë edhe Europës.
Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me retorikë politike e deklarata jo zyrtare, por më një ndërveprim institucional mes Beogradit, Shkupit, Sofjes, Athinës , natyrisht me dirigjent Moskën.
Dihet se në epokën e gobalizmit shtetet mundohen të përfitojnë sa më shumë në aspektin ekonomik duke u investuar në projekte me rëndësi gjeostrategjike.
Ashtu sikurse edhe në vende të tjera, Ballkani Perendimor në sajë të projekteve me rendësi dhe peshë gjepolitike infrastrukturore do të ketë përfitime të mëdha.
Përshembull, korridori 8-të është një projekt madhor me peshë specifike për kombin shqiptar në veçanti dhe Europën në përgjithësi. Mirëpo kohët e fundit ka një përpjekje për ta ç’bërë këtë gjë duke i dhënë hapësirë një tjetër korridori, atij 10-të.
Cfarë përfaqësojnë këto akse?!
Shikuar sipërfaqësisht koridori 8-të dhe ai 10-të na orientojnë drejt dy akseve që kanë nevojë urgjente për analizë. Ndërsa korridori 8-të është quajtur që në vitin 1994 si aksi Pan-Evropian, korridori 10-të lehtësisht kuptohet si një aks Pan-sllavist.
Për rikujtesë korridori 8-të është iniciativë e SHBA-vë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Presidenti amerikan Bil Klinton hodhi idenë e këtij korridori. Nuk bëhej fjalë për thjeshtë një rrugë, por për një arterie që përfshinte autostrata, gazsjellës e linja elektrike.
Thënë në mënyrë të përmbledhur, korridori 8-të, parashikon të lidhë Detin e Zi me Detin Adriatik, duke kaluar përmes Shqipërisë. Ndërsa, sipas raportimit të mediave bullgare, serbe, e maqedonase, korridori 10-të merr një tjetër drejtim. Bëhet fjalë për një investim në linjën hekurudhore që do të lidhë Beogradin, Shkupin, Sofjen përfshirë edhe Athinën duke lënë anash Shqipërinë.
Para pak ditësh Ministri serb i Transporteve, Goran Vesiç deklaronte se “ qeveria serbe ka vendosur të ndalojë ndërtimin e korridorit 8-të”. Ai ka theksuar se: “e kemi parandaluar skenarin e errët për Serbinë me vendimin e Aleksandër Vuçiç”. Po sipas ministrit serb, Serbia duhet të luftojë për të qenë një vend qëndror nëpër të cilin kalojnë të gjitha linjat hekurudhore.
Në të njëjtën linjë është edhe Bullgaria. Mediat bullgare raportojnë se koridori 8-të, i cili fillimisht u projektua në vitin 1994 si pjesë e rrjetit Pan-Evropian, është lënë menjanë pas disa degatash stanjacioni dhe investime më të mëdha në korridorin tjetër nga Lindja në Perendim, të ndikuara nga zhvillimet kineze në infrastrukturë.
Ndërsa korridori 8-të ishte panifikuar të përfshinte një rrjet kompleks transporti që do të lidhte portet italiane të Barit e Brindësit me portet shqiptare Durrësin dhe Vlorën, duke vazhduar përmes kryeqyteteve Tiranë, Shkup, Sofje, dhe duke përfunduar në portet bullgare të Burgasit dhe Varnës në detin e Zi.
Paradoksalisht ky projekt është lënë në hije duke avantazhuar rrjetet hekurudhore Veri –Jug ( që lidh botën sllave) dhe përjashton shqiptarët.
Pse ky ndryshim ?
Tash në kohërat moderne betejat dhe luftërat zhvillohen për dominim ekonomik e kulturor. Në këtë aspekt korridori 8-të automatikisht mënjanonte Athinën e Beogradin që për pasojë do të kishtë një ndikim të madh në rënien ekonomike.
Në kushte të tilla aleancat dhe lobimet kanë krijuar një tjetër dimension lidhur më akset hekurudhore e infrastrukturore.
Bazuar në qëndrime e deklarata janë bërë tok bashkë Beogradi, Shkupi, Sofja e Athina për të lënë menjanë koridorin 8-të dhe për të vënë në zbatim korridorin 10-të.
Fatkeqësisht në këtë vorbull endet edhe Shkupi i cili përmes korridorit 8-të do të forconte jo vetëm bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Perendimin , por do të kishte përfitime të mëdha ekonomike.
Është i pajustifikueshëm qëndrimi i ministres maqedonase , po ashtu edhe i VMRO-DPMNE-së që e konsiderojnë korridorin 8-të- “tunel pa dalje”.
Nisur nga këto deklarime, koalicioni qeverisës në Maqedoni është i paqartë rreth qëndrimit për Korridorin 8-të. Derisa VLEN thotë se është prioritet, eksponentët e VMRO-DPMNE-së thonë të kundërtën.
Ministria e financave Gordana Dimitrievska Koçoska tha se e konsideron si një project që nuk jep vlerë të shtuar. Ajo duke iu drejtuar gazetarëve pyeti se;” a njihni ndonjë kompani që sjell prodhime nga Durrësi në Burgasi”.
Nga ana tjetër partia e saj e cilëson deklaratën e ministres të mirëmenduar duke shtuar se korridori 8-të është një tunel pa dalje. Këtë cinizëm maqedonas urgjent duhet t’i japë përgjigje VLEN.
Në të kundërt, ata kot rrinë në një qeveri që nismat amerikane e projektet evropiane nënçmohen dhe avantazhohet projekti i botës vllave.
Në të tilla rrethana, Tirana Zyrtare, Prishtina dhe VLEN në qeverinë e Maqedonisë së Veriut duhet të mënyrë urgjente dhe në mënyrë përbashkuese të frenojnë tendentën PAN-SLLAVISTE.
Cdo justifikim është i patolerueshëm.