Punonjësit e portit të Pireut në Greqi kanë penguar ngarkimin e një kontejneri të mbushur me municione të destinuara për në Izrael, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të Televizionit Shtetëror Grek ERT, kontejneri me municione, i cili u transportua në Greqi nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, u soll në Portin e Pireut për t’u ngarkuar në anijen me destinacion Portin Haifa, Izrael.
Punëtorët u mblodhën me thirrjen e sindikatave dhe nuk lejuan që kontejneri i mbushur me municion të ngarkohej në anije. Në kontejnerin e destinuar për në Izrael ata shkruan “Vrasës, dilni nga porti” dhe brohoritën “Liri për Palestinën”.
Punëtorët thanë se nuk do të lejonin që kontejneri të ngarkohej në anije dhe se nuk do të lyenin duart me gjakun e popullit palestinez.
Kreu i Sindikatës së Punëtorëve të Portit të Pireut, Markos Bekris në deklaratën e tij tha: “Ne kemi vendosur të mos lejojmë që municionet e luftës që do të vazhdojnë gjenocidin kundër popullit palestinez të transportohen nga porti i Pireut. Ne kërkojmë që vendi ynë të ndalojë menjëherë përfshirjen në luftë”.