Më 18 tetor të vitit 1925 lindi Ramiz Alia, partizan, revolucionar, kuadër i lartë politik i Partisë Komuniste më vonë Partisë së Punës së Shqipërisë, burrështeti.
Ramiz Alia lindi më 18 tetor 1925 në Shkodër dhe vdiq më 7 tetor 2011 në Tiranë pasi vuante nga një komplikacion në mushkëri, (trenboembolia pulmonare). Ai u diplomua në shkollën e Partisë në Moskë (1954). Alia është një nga figurat më të rëndësishme të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili udhëhoqi Shqipërinë mes viteve 1984 – 1990. Gjatë kësaj periudhe Ramiz Alia ka kryer detyra të larta në drejtim të PPSH-së, rrjedhimisht edhe të shtetit shqiptar.
Detyrat më të rëndësishme kanë qenë: Sekretar i Parë i KQBRPSH (1949-1955), Ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991).
Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në Shqipëri të zhvilluara më 31 mars 1991, parlamenti i ri pluralist i dominuar nga deputetët e PPSH-së, më 30 prill 1991 me propozim të PPSH-së e zgjodhi Ramiz Alinë, President të Republikës. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992 ku fitoi koalicioni i opozitës i udhëhequr nga Partia Demokratike, më 3 prill 1992 Alia dha dorëheqje nga posti i Presidentit. Semiramis Xhuvani, vajza e Aleksandër Xhuvanit ishte bashkëshortja e Alisë me të cilën pati tre fëmijë. Dy vajza, Zanën, Besën, si dhe një djalë, Arbenin.