Shqipëria është ulur sot para përfaqësuesve të BE-së në ditën e parë të hapjes së kapitujve të anëtarësimit. Kryeministri Edi Rama deklaroi se BE-ja s’mundet pa Ballkanin Perëndimor, ashtu siç nuk mundet Ballkani pa BE-në, shkruan Alsat.
Ai shtoi se secili hap suksesi që do të hedhë Shqipëria, duhet të shihet si një hap përpara i gjithë Ballkanit.
“Jemi shumë entuziastë dhe të inkurajuar që më në fund t’ja nisim me pjesën më të vështirë të punës që është hapja e kllasterit Themeloret, me pesë kapituj dhe tre kritere. Kjo na bën të ecim më tej dhe të përfundojmë brenda afatit tonë shumë ambicioz negociatat dhe ta bëjmë Shqipërinë të ulet e barabartë në mesin e vendeve anëtare”, u shpreh kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Komisioneri i BE-së për zgjerim Oliver Varheji tha se Shqipëria ka përmbushur kërkesat e BE-së.
“Ne filluam të ndërtojmë Evropën në Shqipëri. Kemi adresuar probleme që kanë qenë atje për shumë dekada. Kjo sepse Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë e turpshme për të bërë gjithçka që është kërkuar prej saj në rrugën e saj evropiane. Unë shpresoj që kjo të vazhdojë sepse nëse vazhdon, do të thotë që me të gjitha mjetet që kemi instaluar, Shqipëria mund ta përgatisë veten që të jetë vend anëtare deri në fund të mandatit të ardhshëm” , tha Oliver Varheji, komisioner i BE-së për zgjerim.
Hungaria që mban presidencën e BE-së për momentin, u shpreh e lumtur për këtë hap të Shqipërisë.
“Me integrimin evropian mund të ndihmojmë zhvillimin paqësor të Ballkanit Perëndimor. Kështu që do të ishim vërtetë shumë të lumtur të kishim vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, në mesin e tyre edhe Shqipërinë. Prandaj jemi të lumtur që kjo po ndodh në kohën e presidencës hungareze. Kjo është edhe falë kryeministrit dhe kabinetit të tij sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, theksoi Peter Szijarto, Ministër i Jashtëm i Hungarisë, Presidenca e BE-së.
Qeveria e Shqipërisë do të duhet të miratojë plan ekonomik dhe të investimit si dhe të trajtojë seriozisht problemin e korrupsionit. Kllasteri Themeloret përfshin funksionimin e institucioneve demokratike, reformat e administratës publike, sistemi gjyqësor, të drejtat themelore, liria dhe siguria si dhe prokurimet publike, statistikat dhe kontrollin financiar. Me këtë, Shqipëria i bashkohet Malit të Zi dhe Serbisë si vendi i tretë i Ballkanit Perëndimor që hap kapitujt e negociatave. Muajin e kaluar, Shqipëria u shkëput nga Maqedonia e Veriut, e cila mbetet e bllokuar në rrugën e saj të anëtarësimit për shkak të vetos së Bullgarisë.
“Ne do ta bëjmë gati Shqipërinë për Bashkimin Evropian brenda vitit 2030”, tha Rama./ Alsat.mk