Shkencëtarët pretendojnë se dy njerëz komunikuan në ëndrra

Shkencëtarët e kanë sjellë fantashkencën një hap më afër realitetit, duke arritur komunikimin e parë të dyanshëm midis individëve në ëndrrat e tyre, raportoi të dielën “Daily Mail”.

Në një eksperiment të bërë nga REMspace – startup me bazë në Kaliforni që dizajnon teknologji për të përmirësuar gjumin dhe ëndrrat – thuhet se shkëmbeu mesazh midis dy njerëzve që ishin në gjumë.

Kompania përdori pajisje të dizajnuara posaçërisht për këtë çështje, të cilat përfshijnë një server, një aparat, Wifi dhe sensorë, por nuk ka specifikuar teknologjinë e saktë që ka përdorur.

Pjesëmarrësit e studimit ishin në gjumë në shtëpi të veçanta kur studiuesit e REMspace dërgoi një fjalë të krijuar përmes një gjuhe unike mes tyre.

Drejtori ekzekutiv dhe themeluesi i REMspace, Michael Raduga, ka thënë se komunikimi në ëndrra dukej si fantashkencë.

“Nesër, do të jetë aq e zakonshme sa nuk do të mund ta imagjinojmë jetën tonë pa këtë teknologji. Kjo hap derën për aplikacione të panumërta komerciale, duke riformuar mënyrën se si ne mendojmë për komunikimin dhe ndërveprimin në botën e ëndrrave”, ka thënë ai.

Ëndrra e kthjellët është kur një person është i vetëdijshëm se po ëndërron teksa është në gjumë.
Kjo i lejon ata të kryejnë veprime të vetëdrejtuara në ëndrrat e tyre.

Ky fenomen ndodh gjatë gjumit REM, ose gjumit të lëvizjes së shpejtë të syve, kur zakonisht ndodh ëndërrimi.

REMspace nuk ka zbuluar saktësisht se çfarë pajisje është përdorur në eksperimentin e tyre, por tha se eksperimenti përfshinte një ‘aparat’ që gjurmonte valët e trurit të pjesëmarrësve dhe të dhëna të tjera biologjike gjatë eksperimentit.

Ai përfshinte gjithashtu serverin që mund të zbulojë kur pjesëmarrësit hyjnë në ëndërr të qartë dhe gjenerojnë mesazhe që u transmetohen atyre.

Dy pjesëmarrës në studim flinin në shtëpi të ndara ndërsa valët e trurit të tyre gjurmoheshin nga distanca nga aparati, i cili futi të dhëna në server.

Pasi serveri zbuloi se një pjesëmarrës kishte hyrë në një ëndërr të qartë, ai gjeneroi një fjalë të rastësishme nga gjuha speciale dhe ia transmetoi atij nëpërmjet kufjeve. Më pas pjesëmarrësi e përsëriti këtë fjalë në ëndrrën e tij dhe ajo përgjigje u kap dhe u ruajt në server.

Tetë minuta më vonë, pjesëmarrësi i dytë hyri në një ëndërr të qartë. Serveri i transmetoi atij mesazhin e ruajtur nga pjesëmarrësi i parë, të cilin ajo e përsëriti pas zgjimit.