Një 70 vjeçar nga Kumanova dyshohet se ka abuzuar seksualisht më një fëmijë 13-vjeçar

Një 70 vjeçar ka përfunduar në pranga dhe më pas është lënë i lirë mbi dyshimet për abuzim seksual me një fëmijë 13 vjeç, nxënës i një shkolle fillore me mësim në gjuhën shqipe në Kumanovë. Në dyshimet e policisë është potencuar se 70 vjeçari në disa raste ka abuzuar seksualisht më fëmijën. Alsat ka siguruar denoncimin e prindit, versioni i të cilit në polici është dhënë më datën 9 tetor.

Denoncimi i prindit 
“I dyshuari e ka marrë 13 vjeçarin nga shkolla dhe e ka dërguar në vende të ndryshme në Shkup, si parqe dhe çajtore, ndërsa paraprakisht në pijen e tij ka hedhur lloje të pikave të lëngshme të cilat i kanë shkaktuar marramendje, ndërsa i ka dhënë edhe duhan. Këto veprime i ka bërë pasi i dyshuari ka pasur armë të ftohtë me vete dhe fëmija është frikuar. Sjelljet e fëmijës kanë ndryshuar së fundi, ai është më agresiv dhe i pasjellshëm. Një ditë kur isha me djalin tim, personi në fjalë (i dyshuari) u afrua dhe na tregoi organin gjenital”.

Më 10 tetor i dyshuari është arrestuar, por pas disa orëve është lënë i lirë. Këtë e konfirmoi edhe Ministria e Punëve të Brendshme.

“Më datën 10 tetor në orën 22:30 policia ka arrestuar të dyshuarin I.S (70 vjeç) nga fshati Nikushtak i Komunës së Likovës. Ai dyshohet se për disa herë ka abuzuar seksualisht me fëmijën. Është njoftuar Prokuroria Publike dhe ndaj të dyshuarit do të ngritët kallëzim penal”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Prokuroria Publike ka vlerësuar se për një dyshim të tillë nuk ka nevojë për masa kujdesi. Organi i akuzës na tha se në pritje është ekspertiza mjekoligjore nga e cila duhet të konstatohet vepra e mundshme penale, ndërkohë që me viktimën janë bërë edhe konsultime psikologjike. Në rast se vërtetohet se i dyshuari 70 vjeç ka abuzuar seksualisht më fëmijën, ndaj tij do të propozohen masat më rigoroze të kujdesit, si paraburgimi. Vepra në fjalë parashikon dënim me burg të paktën 10 vjet nëse kryet ndaj personit nën moshën 14 vje¬çare.