Mickoski në Berlin, flet dhe për letrën e Shkupit

Sot dhe nesër është periudha dyditore që kryeministri Hristijan Mickoski ka në dispozicion për të prezantuar nga afër, edhe në takime kokë më kokë, idenë e tij për ndryshime kushtetuese me zbatim të prolonguar. Në Berlin, ku ai po qëndron me krerët tjerë të Ballkani Perëndimor dhe përfaqësues të BE-së dhe të vendeve anëtare, Mickoski kishte paralajmëruar se do të flasë për idenë e tij dhe shkresën që në periudhën e ardhshme do ta nisë edhe zyrtarisht te autoritetet në Bruksel.

“Do t’i shohim mendimet e përfaqësuesve të BE-së sa i takon çështjes që e shqetëson Maqedoninë dhe menjëherë pas asaj do të përpilohet edhe zgjidhje në formë të letrës dhe do të dërgohet edhe të publikohet”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e qeverisë.

Në Berlin është edhe kryeministri i qeverisë së përkohshme të Bullgarisë Dimitar Gllavçev me të cilin nuk dihet nëse Mickoski do të takohet veçmas mirëpo Bullgaria tashmë ja bëri të qartë Shkupit se negociatat duhet t’i zhvillojë me Brukselin dhe jo me Sofjen. Kështu thotë Presidenti bullgar Rumen Radev i cili, i pyetur për të komentuar deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski se është i gatshëm të negociojë me presidentin bullgar, tha se duhet të bëhet dallim ndërmjet dialogut dhe negociatave. Kushtet për Shkupin, sipas tij, janë të qarta dhe duhet të plotësohen.

“Negociatat mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut përfunduan në korrik 2022, kur të dy vendet nënshkruan protokollin dypalësh për Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë. Nëse po flasim për dialog, ai duhet të zhvillohet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit Evropian në bazë të kornizës së pranuar të negociatave për Maqedoninë e Veriut, e cila u miratua unanimisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe u pranua nga Qeveria e Maqedonisë. Do të përsëris se jemi gati dhe duhet të ndihmojmë. Kjo është përgjegjësia jonë, ta ndihmojmë Maqedoninë e Veriut të përmbushë më shpejt dhe në mënyrë më efektive kushtet e shënuara në protokollin dypalësh dhe në kornizën e negociatave”, deklaroi Rumen Radev, President i Bullgarisë.

Ambasadori i BE-së në Shkupi Mihalis Rokas, një ditë më parë tha se BE-ja ka respekt për qëndrimin e Shkupit por kushtet janë të qarta.