LSDM-ja nuk do ta pengojë të ardhmen e vendit por as nuk do të bie pre e manipulimeve të VMRO-DPMNE-së për të bllokuar eurointegrimet, deklaroi kreu i socialdemokratëve Venko Filipçe. Ai sot nga Prilepi me rastin e Ditës së kryengritjes popullore, duke ju përgjigjur kërkesës së pushtetit për konstruktivitet nga opozita gjatë kësaj rruge, shtoi se deri sa VMRO-ja nuk propozon zgjidhje konkrete, LSDM-ja nuk do të jetë bashkëpjesëmarrëse. Filipçe thotë se do të japin mbështetje vetëm për zgjidhje reale dhe të zbatueshme.
“Nëse presin që LSDM-ja në mënyrë naive të mbështesë idetë që nënkuptojnë bllokada të mëtejshme, zgjidhje në të cilat nuk beson askush përveç atyre në Pallatin e Bardhë, atëherë e kanë gabim. Ne nuk do të jemi mbulesë për politikat e tyre të dështuara. Le të tregojnë lidership, le të tregojnë guxim dhe më e rëndësishmja, le të tregojnë ndershmëri”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Filipçe kritikoi edhe aspekte të tjera të qeverisjes. Ai tha se në 100 ditë, qeveria zbardhi planet e saj për kontroll total mbi gjyqësorin, gjë që e quan shqetësuese.
“Thotë se nëse rezultatet e hetimeve në gjyqësor nuk janë sipas pritjeve të tij, ai do të propozojë “njerëz të tij” për të gjitha pozitat në gjyqësor. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se ai tashmë po mendon për partizimin e gjyqësorit, po mendon se si ta heqë atë që e fituam me shumë vështirësi, lirinë dhe demokracinë”, shtoi ai.
Filipçe kritikoi edhe rritjen e rrogave prej 5% në arsim duke thënë se qeveria nuk realizoi premtimin prej të paktën 12%.