Shefi i CIA-s ngre alarmin: Rrezik i lartë për përshkallëzimin e luftës në Lindje të Mesme

Rreziku për përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, është shumë real. Alarmi ngrihet nga kreu i CIA-s, William Burns.

Gjatë një konference në shtetin e Georgia mbrëmjen e së hënës, Burns vlerësoi se as Irani dhe as Izreli nuk e dëshironin një luftë të plotë, por se gjykimet e gabuara nga udhëheqësit, ose ngjarje të caktuara si sulme ushtarake që do të shkaktonin një numër të papritur viktimash, do të çonin situatën drejt shpërthimit.

“Përballemi me rrezikun real për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit. Lindja e Mesme është një rajon, ku gjëra të ndërlikuara ndodhin gjatë gjithë kohës”, tha shefi i CIA-s.

Burns thotë se, një kombinim i ndarjes së informacioneve të inteligjencës mes SHBA dhe Izraelit dhe sistemet e integruara mirë të mbrojtjes kishin lejuar dështimin e sulmit masiv raketor nga Irani në 1 tetor.

Sulmi sipas tij kishte ekspozuar kufizime në kapacitetet ushtarake të Teheranit, por megjithatë shtoi se këto kapacitete ishin të fuqishme mjaftueshëm, sa për tu marrë shumë seriozisht si nga Izraeli ashtu edhe nga SHBA.

Shefi i CIA-s pohoi se Izraeli i kishte shkaktuar dëme shumë të mëdha Hezbollahut, dhe se aktualisht ishte duke përgatitur hakmarrjen ndaj sulmit iranian. Por edhe pse ka shënuar një seri suksesesh takike, sipas Burns, sfida do të jetë ndërthurja e forcës me inteligjencën dhe diplomacinë për të arritur një armëpushim në veri të Libanit e po ashtu në Gaza.

Zyrtari i lartë që është përfshirë në negociatat për paqen dhe lirimin e pengjeve tha se me raste marrëveshja ka qenë shumë e afërt, por mbetej ende e paarritshme.