Mexhiti: Zbutja e ndikimit të ndryshimeve klimatike, prioritet i qeverisë

Maqedonia e Veriut përballet me ndikime të rënda të ndryshimeve klimatike dhe ka nevojë për investime të mëdha për të mbrojtur njerëzit dhe ekonominë, u tha gjatë prezantimit të dy rapoprteve të Bankës Botërore, në konferencën e zhvilluar sot në Shkup, njëri për klimën dhe tjetri për  financat publike, e që adresojnë sfidat klimatike që përballemi si vend.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti sot gjatë paraqitjes së tij në konferencë, tha se dy raportet e publikuara sot, për klimën dhe financat publike, do të jenë një ndihmë e jashtëzakonshme në përmbushjen e qëllimeve ambicioze klimatike të ministrisë që drejton dhe të qeverisë.

‘Maqedonia e Veriut përballet me sfida të mëdha, si përmbytjet dhe ngjarjet ekstreme të motit, që kërcënojnë ekonominë dhe shëndetin e popullsisë, prandaj, është jetike të investojmë në politika të forta dhe infrastrukturë rezistente ndaj klimës. Ne jemi duke punuar në Projektligjin për Veprimin Klimatik, që do të dorëzohet për miratim në Qeveri shumë shpejt, dhe ky është një hap i rëndësishëm drejt zbutjes së ndikimeve klimatike dhe reduktimit të emetimeve të gazeve serrë’ tha Mexhiti.

Ai shtoi se do të vazhdon të punoj për përfshirjen e rreziqeve klimatike në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit tonë, për të siguruar një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm, ndërsa iu faleminderua Bankës Botërore për gjithë mbështetjen që i jep vendit.

Në Raportin e  i ri të Grupit të Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin e vendit, u tha se Maqedonia e Veriut duhet të përshpejtojë tranzicionin energjetik për të arritur emetimet neto zero deri në vitin 2050, në përputhje me objektivat e Bashkimit Evropian.

Sipas raportit, nga përmbytjet shkatërruese dhe ngjarje të rënda të motit, si shirat e rrëmbyeshëm dhe valët e të nxehtit, janë shkaktuar humbje prej 667 milionë dollarësh gjatë 20 viteve të fundit, ndërsa sfidat klimatike të Maqedonisë së Veriut po shtohen.

“Rreziqet natyrore prekin në mënyrë disproporcionale sektorët vulnerabël, veçanërisht bujqësinë, ku fermat e vogla familjare janë të prekura nga thatësira dhe breshri për shkak të ujitjes së pamjaftueshme, mbrojtjes nga breshri dhe sigurimit”, tha Massimiliano Paolucci, drejtor i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas raportit, largimi nga lëndët djegëse fosile mund të forcojë sigurinë e energjisë duke nxitur një sistem energjie më fleksibël dhe të modernizuar, ndërsa ky ndryshim ka të ngjarë të sjellë gjithashtu përmirësime thelbësore në shëndet dhe në rezultatet ekonomike afatgjata, kryesisht nëpërmjet cilësisë më të mirë të ajrit dhe reduktimit të kostove afatgjata të funksionimit të sistemit energjetik.