Çka u fol sot në takimin mes Mickoskit dhe Vuçeviqit?

Kryeministri serb në Shkup, i pritur me nderime të larta shtetërore, drejtori delegacionin e qeverisë së tej, të cilët në takime me qeverinë e Hristijan Mickoskit, biseduan për lidhjen rrugore, hekurudhore dhe energjetike.

Mickoski tha se ndërtimi i Korridorit 10 dhe lidhja me rajonin por edhe me vendet e Evropës është prioritet po aq i madh sa Korridori 8. Sipas tij, është interes i qeverisë ndërtimi i interkonektorit me Serbinë, dhe lidhja me interkonektorin me Greqinë, I cili është në fazë përfundimtare të procedurës së tenderimit dhe pritet të përfundojë deri në fund të vitit. Kryeministri përmendi synimin për pavarësi nga gazi rus.

“Synimi strategjik i kësaj qeverie është të jetë udhëkryq në këtë pjesë të Evropës për tre elementë kyç – infrastrukturën rrugore, energjetike dhe hekurudhore. Interkonektori i gazit mes dy vendeve është një nga këto prioritete, ai duhet të jetë gjithashtu një prioritet për Evropën Qendrore sepse do të ofrojë një opsion për një 12 BCM të ri që tani nuk i ka, dhe kështu do të reduktojë varësinë nga gazi rus”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Në këtë kontekst, kryeministri përmendi pushtimin rus të Ukrainës me pritjet se gjatë dimrit Ukraina do të tërheqë sasi të mëdha energjie nga Evropa, gjë që do të ndikojë në një rritje drastike të çmimit të energjisë.

Kryeministri serb Millosh Vuçeviq tha se serbia nuk do të heqë dorë nga gazi rus, pavarësisht kush e dëshiron këtë.

“Jemi shumë krenarë për projektin “Rryma Turke, Rryma Jugore”, quani si të doni. Po të mos ekzistonte ai projekt dhe të mos e kishim ndërtuar ne, Serbia tani nuk do të kishte furnizim me gaz. Le të jemi të saktë dhe të sinqertë – ne nuk heqim dorë nga asnjë gaz, duam edhe gaz rus, edhe të Azerbejxhanit, të gjitha burimet. Të heqim dorë nga gazi i dikujt tjetër sepse dikush tjetër mendon kështu, më falni, por ne kujdesemi për shtëpinë tone”, u shpreh Millosh Vuçeviq, kryeministër i Serbisë.

Dy kryeministrat folën edhe për planin e lidhjes hekurudhore të shpejtë, 220-250 km në orë, në kuadër të Korridorit 10.

Në pritjen e sotme të delegacionit serb, nuk ishin prezent asnjëri nga përfaqësuesit shqiptar në qeveri.

Vizita e delegacionit serb është e para pas ndryshimit të qeverisë por ajo vjen shumë shpejt pas vizitës së kryeministrit hungarez Viktor Orban dhe qeverisë së tij në Shkup.

Kritikët flasin për një presion të ri nga Kina e cila është e interesuar për ndërtimin e shpejtë të lidhjeve përmes Korridorit 10 për të shtrirë ekonominë e saj në vende të tjera të Evropës.