Ndonëse oferta parazgjedhore e koalicionit VLEN për fushën e shëndetësisë ishte mjaft modeste, Arben Taravari që nga pozita e kryetarit të Gostivarit u ul në kolltukun e resorit të shëndetësisë, në top prioritetet e 100 ditëve, nuk e kishte asnjërin prej premtimeve, edhe ashtu të pakta.
Taravari, i cili këtë pozitë e kishte ushtruar disa vite më parë, si arritje kryesore gjatë kësaj periudhe e cilësoi zgjerimin e listës pozitive të barnave. Nuk tha asgjë çfarë u bë me ndërtimin e klinikave familjare në çdo 5.000 banorë apo poliklinikave në çdo 20.000 mijë banorë. Të mos flasim për hapjen e 6 spitaleve rajonale në komunat me shumicë shqiptare. Apo qendrat urgjente me auto-ambulanca.
E lëre më, ndërtimin e qendrës së plagëve dhe djegieve, për çka pacientët dërgohen në Bullgari. Apo, favorizimin e ordinancave private për të krijuar mundësi për turizëm shëndetësor.
Pozitë të veçantë, VLEN i kishte siguruar në program premtimit për Spitalin e Madh Terciar në Tetovë, me të cilin, do t’ua hiqte barrën qytetarëve që jetojnë në pjesët perëndimore të shtetit. Por jo edhe Taravari, i cili sot nuk e tha asnjë fjalë. E qytetarët, vazhdojnë të udhëtojnë me dhjetëra kilometra për në Spitalin e Shkupit që është ashtu është në kaos total. Sidomos me parkingun që edhe pse VLEN nuk e kishte në program Taravari e trajtoi si prioritet, megjithatë, nuk e zgjidhi.
Taravari e ka pasur prioritet dhe e ka realizuar shkarkimin e drejtorëve ekonomik, të cilin madje VLEN as e ka premtuar në programin zgjedhor. Por nuk e ka përmendur premtimin për kontroll sistematik falas për të gjithë qytetarët.
Megjithatë, Taravari, lavdërohet se janë siguruar 10 milionë euro për pajisje për pastrimin e ajrit nëpër disa institucione shëndetësore. Se kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë së Kroacisë, se kanë blerë aparate nëpër disa klinika në vlera të ndryshme, të cilat, gjithashtu nuk janë parashikuar në programin e VLEN-it.