Shumë linja ajrore në mbarë botën kërkojnë që pilotët të mos kenë fare mjekër, në asnjë formë. Pse është kështu?
Nëse ka qime në fytyrë, piloti mund të rrezikojë, para së gjithash, jetën e tij, e me këtë edhe jetën e të tjerëve. Vlogeri Zack D. Films ka ndarë një simulim të asaj që mund të shkojë keq kur një pilot me mjekër fluturon me një aeroplan…
– Kur një pilot vendos një maskë oksigjeni emergjente, ajo ngjitet fort në fytyrë. Ky është çelësi për të siguruar sasinë e duhur të oksigjenit. Pra, nëse piloti ka mjekër, qimet e fytyrës do të parandalojnë që maska të mbyllet siç duhet – duke shkaktuar rrjedhje oksigjeni dhe aksidente të mundshme. Kjo është arsyeja pse zakonisht nuk shihni kurrë një pilot me mjekër, shpjegoi Zack.
Sipas kompanisë së aviacionit HRD Aerosystems, pilotët, bashkë-pilotët dhe anëtarët e ekuipazhit të kabinës përdorin maska speciale të oksigjenit, “sepse kanë përgjegjësi dhe rreziqe shtesë”, ndryshe nga ato të destinuara për pasagjerët. Ata që janë përgjegjës për fluturimin e avionit duhet të mbajnë maska edhe në disa raste jo emergjente, p.sh. kur janë vetëm në kabinë – sepse mund të kursejnë disa sekonda të çmuara në rast telash.
“Ata gjithashtu duhet të mbajnë maskë gjatë gjithë kohës kur presioni në kabinën e aeroplanit korrespondon me atë në 10,000 këmbë (rreth 3,000 metra lartësi, z.p.). Pilotët gjithashtu mund të përdorin herë pas here maskat e tyre të oksigjenit për të përmirësuar shikimin e natës. Sasia e oksigjenit në një aeroplan nën presion është nën nivelin e atij në tokë”, shtoi kompania.
Në nivele më të ulëta të oksigjenit, shikimi i natës thuhet se zvogëlohet. Pilotët gjithashtu shpesh përdorin maska dukshmërie ndërsa përgatiten për ulje.