Shumica e qytetarëve pajtohen se problemi më i rëndësishëm në vend është krimi dhe korrupsioni, ndërsa problemi i dytë më i rëndësishëm është inflacioni, rritja e çmimeve dhe kostoja e jetesës. Këto janë pjesë e rezultateve të anketës së opinionit publik të realizuar për MKD.mk nga agjencia Market Vision nga 16 deri më 25 shtator në mesin e 1200 të anketuarve.
Në pyetjen se për cilën parti do të votojnë në zgjedhjet parlamentare, nëse ato do të mbahen nesër, shumica e përgjigjeve të atyre që kanë thënë se do të votojnë, pothuajse gjysma, i referohen partisë VMRO DPMNE, transmeton portali Lideri.mk. Edhe koalicioni VLEN është në rritje krahasuar me zgjedhjet parlamentare, BDI është në stagnim, ndërsa LSDM është në rënie të madhe, shkruan Mkd.mk.
Sipas anketës, VMRO-DPMNE ka rejting 44 për qind, LSDM 11 për qind, BDI (partitë tjera të Frontit Evropian nuk janë përfshi në anketë) 13.9 për qind, VLEN me 11.7 për qind.
Anketa u realizua nga 16 deri më 25 shtator 2024 duke përdorur metodën CATI – anketë telefonike me kompjuter të një kampioni prej 1200 të anketuarish, domethënë me një interval besimi prej 95% dhe një marzh gabimi +-3%./Lideri