
Pas informacioneve zyrtare lidhur me rrahjen e mbrëmshme, respektivisht sulmin fizik ndaj tre të miturve shqiptarë në Qendër të Shkupit duke përdorur edhe sende të forta, Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin serioz, aq më tepër kur u informuam se sulmi ndaj të miturve ka ndodhur për motive etnike.
BDI vlerëson se ky incident, jo i paprecedent fatkeqësisht, vjen si rezultat i dështimeve të përditshme të Qeverisë për të kultivuar marrëdhënie të mira ndëretnike, gjegjësisht si pasojë e hapjes së shumë çështjeve ndëretnike, si dhe vet nxitja e fjalorit provokues ndaj çështjeve etnike.
“VLEN bashkë me partnerët e tyre VMRO-ZNAM, po na kthen në kohën kur fëmijët shqiptarë sulmoheshin nëpër autobusë, shqiptarët ofendoheshin paturpësisht nëpër çdo stadium në çdo ndeshje sportive, e që BDI një frymë të tillë e kishte ndaluar plotësisht pas një angazhimi të madh në kontinuitet”, thonë nga BDI.
Ata u bëjnë apel policisë që të ndërrmarin të gjitha hapat e duhur për ta zbardhur këtë rast, të dënohen dhunuesit dhe sa më parë të ndërmarrin masa preventive lidhur me ndalimin e zgjerimit të kësaj dukurie.