Rama takon Erdogan: Turqia dhe Shqipëria do të vijojnë të forcojnë lidhjet në të gjitha fushat

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi dje një takim në New York, me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, me të cilin diskutoi mbi lidhjet dypalëshe si dhe çështjet rajonale dhe globale.

Rama dhe Erdogan diskutuan të dielën lidhjet dypalëshe, çështjet rajonale dhe globale, transmeton Anadolu.

Takimi me dyer të mbyllura në Turkevi (Shtëpia Turke), qendrën diplomatike turke në New York, u realizua në margjinat e sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (UNGA) në metropolin amerikan.

Sipas agjencisë zyrtare turke të lajmeve Anadolu Agency (AA), Erdoğan ka deklaruar se përpjekjet do të vazhdojnë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat.

Presidenti turk ka theksuar se “masakrat” e kryera nga Izraeli në territoret palestineze, veçanërisht në Gaza, dëmtojnë paqen rajonale dhe globale.

Ai deklaroi se “shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar tani duhet të ndalen dhe se Izraeli do të detyrohet të ndalojë nëse të gjitha shtetet e botës veprojnë së bashku në një mënyrë të orientuar drejt paqes”.