Bertha dhe Karl Benz…
Bertha Benz dhe bashkëshorti i saj Karl Benz kishin shpikur automobilin e parë me benzinë, por askush nuk dinte ta përdorte, duke e lënë shpikjen e papërdorur. Të gjithë e quanin Karlin budalla, për krijimin e asaj që ata e konsideronin një triçikël qesharak. Duke përkeqësuar gjërat, Karl u dha pas alkoolit për të shoqëruar depresionin e tij.
Familja Benz jetonte në Mannheim me pesë fëmijët e tyre dhe Bertha duhej të vizitonte prindërit e saj në Pforzheim, pothuajse 100 kilometra në jug. Për të mbështetur të shoqin dhe për t’u siguruar që puna e tij të mos ishte e kotë, Berta mori guximin dhe vendosi të largohej me triçiklin e krijuar prej tyre, për t’i vizituar ata.
Udhëtimi zgjati pothuajse një ditë të plotë, një kohë e arsyeshme duke marrë parasysh fuqinë e automjetit në fund të shekullit të 19-të. Bertas iu desh të ndalonte disa herë në farmaci për ta mbushur me benzinë, e cila shitej atje në atë kohë. Ajo vizitoi dy punishte për të riparuar frenat, duke shpikur kështu tamponët e frenave dhe një farkëtar për të rregulluar zinxhirin e makinës. Kur linja e karburantit u bllokua, Bertha përdori një kunj për ta riparuar dhe izoloi një kabllo me një kravatë të improvizuar.
Pasi mbërriti në destinacionin e saj, Berta e njoftoi burrin e saj për suksesin e udhëtimit me telegram. Të nesërmen, ajo u nis për në Mannheim, duke përfunduar edhe udhëtimin e kthimit.
Udhëtimi tërhoqi shumë vëmendje, pasi Berta takoi njerëz kureshtarë gjatë rrugës. Pikërisht në atë moment njerëzit filluan të kuptonin se automobili nuk ishte thjesht një lodër kurioze, por një mjet transporti praktik dhe i shpejtë.
Karl u bë menjëherë i famshëm dhe së shpejti të gjithë kërkuan një kopje të makinës së tij, duke çuar porosi të shumta. Udhëtimi i Berthës ishte gjithashtu një mundësi për të, që të testonte automjetin nga këndvështrimi i përdoruesit, duke identifikuar përmirësime të mundshme.
Ajo sugjeroi shtimin e një marshi në transmetim për të rritur shpejtësinë, duke zvogëluar kështu kohën e udhëtimit dhe duke e lejuar atë të kalojë karrocat, shtimin e një rrote të katërt për stabilitet më të madh, përmirësimin e frenave dhe instalimin e një filtri karburanti. Prej aty lindi ajo që do të bëhej perandoria e madhe automobilistike, e njohur edhe sot…
Solli në shqip Fatmir Shqarri…