Ish-Presidenti Donald Trump është jashtë rrezikut, pasi u njoftua për të shtëna me armë në afërsi të tij të dielën pasdite në Florida, tha ekipi i fushatës së tij dhe Shërbimi Sekret, raporton Zëri i Amerikës.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse të shtënat e raportuara kishin në shënjestër kandidatin republikan për president.
Shërbimi Sekret Amerikan tha se ishte duke hetuar dhe se incidenti ndodhi pak para orës 14:00.
“Ish-presidenti është i sigurt”, sipas Shërbimit Sekret.
Dy muaj më parë, Trump u qëllua gjatë një atentati në një tubim në Pensilvani dhe një plumb e plagosi në vesh.
Ish-Presidenti Trump ishte kthyer në Florida këtë fundjavë nga një udhëtim fushate në pjesëm perëndimore të vendit, përfshirë një tubim të premten mbrëma në Las Vegas dhe një aktivitet për mbledhje fondesh në Utah. Ekipi i fushatës së tij nuk dha menjëherë detaje shtesë.
Një zyrtar i organeve të zbatimit të ligjit, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar mbi një hetim që po vazhdon, tha se zyrtarët po përpiqeshin të përcaktonin nëse të shtënat u qëlluan pranë fushës së golfit të zotit Trump në West Palm Beach apo brenda klubit të golfit.
Masat e sigurisë për kandidatin republikan janë shtuar pas atentatit ndaj tij në korrik.