Për të katërtin vit me radhë, piloti monogask i Ferrarit, Sharll Leklerk, ka siguruar “pole position” në pistën e Baku, aty ku do të zhvillohet gara e Cmimit të Madh të Azerbajxhanit. Tashmë për pilotin e “kokëkuqes” misioni do të jetë fitorja e parë në Baku pas 24 orësh.
Leklerk dha kohën 1’41”365, më i shpejti në pistë, duke lënë pas makinën MekLaren të Oskar Piastri (i dyti). Në vendin e tretë u klasifikua makina tjetër Ferrari, ajo e spanjollit Karlos Sainz, cka tregon se makina italiane është në formë të mirë dhe pretendente për fitore.
Në vendin e katërt u rendit makina e “Red Bull”-it me Serhio Perez, që befasoi në pistë, duke lënë pas Xhorxh Rasellin me Mercedes (i pesti) dhe Maks Verstapenin (i gjashti). Një paraqitje jo e mirë e kampionit të botës, që do ta nisë garën nga vija e tretë e startit, larg më të mirëve.
Por edhe rivali i tij kryesor për titull, britaniku Lando Norris me MekLaren u paraqit dobët, duke u renditur në vendin e 17-të, në një ditë jo të mirë. Pas Verstapenin, në “Top-10” u klasifikuan edhe Luis Hamilton (Mercedes), Fernando Alonso (Aston Martin), Franko Kolapinto e Aleksander Albon me Uilliams.