Prioriteti kryesor i jashtëm – politik i Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut është integrimi i plotë në Bashkimin Evropian, dhe ai proces është kyç për realizimin e interesave kombëtare, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunksi, në intervistën për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE, njoftoi MPJ.
Lidhur me bllokadën nga Bullgaria, Mucunski thekson se Qeveria mbetet në qëndrimin për vonesë në zbatimin e ndryshimeve kushtetuese.
Duke folur për procesin e integrimeve evropiane, ai vëren se ka “bilateralizim të padrejtë dhe standarde të dyfishta që janë bërë pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Përkujton se vendi ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për anëtarësim në Union, ndërsa bllokadat nga fqinjët tanë i lidhi me interesat e palëve të treta të cilat nuk duan të ardhme evropiane për Ballkanin Perëndimor.
“Ne jemi vend i cili mori statusin e kandidatit në vitin 2005 dhe kemi rekomandime shumë pozitive nga Komisioni Evropian për hapjen e bisedimeve, por për fat të keq ende nuk jemi atje. Kjo është diçka të cilën e meritojmë dhe shpresojmë se do ta arrijmë sa më shpejtë që është e mundur”, theksoi Mucunski.
Ai shton se si shtet bëmë shumë lëshime për përmbushjen e kërkesave evropiane, ndërsa Qeveria e re është e gatshme t’i përmbushë edhe kushtet e tjera për afrim drejt standardeve të BE-së.
“Këto janë kriteret me të cilat duam të vlerësohemi. Nuk është e drejtë të vlerësohet vendi ynë në bazë të standardeve subjektive dypalëshe që nuk kanë lidhje me BE-në. Kur të ketë një libër historie për vendimmarrjen dhe zgjerimin e BE-së, ne do të jemi kapitulli për bilateralizimin e padrejtë”, thotë Mucunski.
Intervista është bërë gjatë vizitës së Mucunskit në Madrid, me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Spanjën. Ai dhe homologu i tij spanjoll i vlerësuan marrëdhëniet si miqësore, me theks në mbështetjen e fuqishme nga Spanja për integrim më të shpejtë të vendit në BE.