Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti me politikë shkurtpamëse ka krijuar terrenin për veprimet anti-Kosovë nga ana e Serbisë, duke komentuar masat e kërkesat që presidenti Aleksandar Vuçiq i prezantoi të premten.
Në një status në Facebook të shtunën, Haradinaj ka thënë se Vuçiqi është përgjegjësi kryesor për situatën e rënduar në veri të Kosovës. Por ka shtuar se Qeveria Kurti ka bërë që politika fashiste e Serbisë karshi Kosovës të mos duket aq e keqe.
“Për situatën e rënduar në veri të Kosovës, përgjegjësi kryesor është presidenti serb. Ai ka sabotuar çdo nismë për vendosjen e normalitetit dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ai e ka minuar procesin e dialogut për njohje. Ai i ka urdhëruar serbët lokal të braktisin jetën institucionale. Ai i ka urdhëruar ata t’i braktisin zgjedhjet. Ai i ka mbështetur grupet kriminale dhe i ndikuar edhe nga Rusia, ka hartuar skenar për destabilizimin e Kosovës. Prandaj kërkesat e tij sot, janë veç vazhdimësi e luftës së tij kundër Kosovës. E dhimbshme, por fatkeqësisht terrenin për këto veprime anti-Kosovë të Serbisë, të mbështetura edhe nga disa qarqe ndërkombëtare, e ka krijuar politika shkurtpamëse e qeverisë Kurti. Ajo ka bërë që politika fashiste e Serbisë ndaj Kosovës, të mos duket edhe aq e keqe”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas kryetarit të AAK-së, me Serbinë ka veç një zgjidhje, “njohja e ndërsjellë në kufijtë ekzistues”.
Vuçiqi të premten prezantoi pesë masa që shteti i tij do t’i ndërmarrë “pas tensioneve të fundit” në veri të Kosovës. Në një konferencë për gazetarë që ka zgjatur mbi një orë, Vuçiqi krahas masave i ka shpalosur edhe shtatë kërkesa për çështjen e “problemit të serbëve të Kosovës”.