Tre vjet nga tragjedia në Spitalin modular Kovid në Tetovë, drejtësia nuk ka zënë vendin e saj. 14 persona, prej të cilëve 12 pacientë të shtruar në spital dhe dy të afërmit e tyre humbën jetën nga zjarri që bëri shkrumb e hi spitalin modular në Tetovë, për jo më shumë se 3 minuta.
Objekti në Tetovë ishte njëri nga 29 modularët të ndërtuar për t’u përballur me numrin të rritje të pacientëve me kovid. Hetimet deri më tani treguan vetëm se zjarri ishte pasojë e një kablloje të zgjatur i cili kishte marrë flakë pas përdorimit të defibrilatorit tek njëri nga pacientët e shtruar.
Por, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ende nuk ka ndërmarrë hapa konkrete për hetimin e dytë në lidhje me djegien e Spitalit Modular në Tetovë. Prokuroria hesht dhe nuk jep informata se në çfarë faze është hetimi. Hetimi, i cili udhëhiqet nga prokurorja Elizabeta Josifovska duhet të japë përgjigje nëse ka pasur keqpërdorime në dokumentacionin tenderial për spitalin modular.
Dyshimet për mosrespektim të standardeve gjatë ndërtimit, përdorimin e materialeve që digjen lehtë dhe mosvendosja e mekanizmave për parandalimin e shpërndarjes së zjarrit janë disa nga dyshimet serioze mbi të cilat Prokuroria duhet t’u hedhë dritë, por që nuk e ka bërë akoma.
Në ndërkohë, procesi gjyqësor kundër ish drejtorëve të Spitalit pret të rifillojë nga e para më 25 shtator pasi për shkak të paqartësisë së aktgjykimit, Apeli e riktheu në rigjykim. Nga fajësia është liruar mjeku, Boban Vuçevski i cili natën e kobshme ka qenë kujdestar. Spitali, sipas Prokurorisë, nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërkaq brenda infektivit janë futur edhe familjarë të pacientëve, pavarësisht rekomandimeve rigoroze mjekësore për parandalimin e kovidit. Për rastin janë mbajtur disa herë protesta, ndërkaq familjarët e kanë përshëndetur rikthimin e gjykimit nga e para dhe presin që të ketë drejtësi./Alsat.mk