LSDM-ja ka akuzuar se politikat ekonomike të Qeverisë po e çojnë vendin drejt varfërisë. Sipas opozitës maqedonase çmimet e produkteve bazë vazhdojnë të rriten në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa Qeveria nuk ka kurrfarë kontrolli. Zëdhënësja e LSDM-së i bëri thirrje Qeverisë që të heqë dorë nga politikat e gabuara dhe urgjentisht të marra masa.
“Qytetarët ankohen për jetesën gjithnjë e më të shtrenjtë, ndërsa Mickoski vetëm apelon biznesmenët që t’i ulin çmimet. Kur ishin në opozitë, ishin të zëshëm dhe kritikonin masat e LSDM-së, me të cilat mbrojtëm standardin e qytetarëve, ulëm çmimet dhe luftonin çdo ditë me inflacionin. Sot në kolltukët komode të Qeverisë, nuk iu bëhet vonë dhe e harruan popullin në tërësi. Derisa shporta e konsumit rritet, pushteti i Mickoski shkurton paratë me rishikimin e buxhetit dhe nuk parashikon fonde për pagë më të lartë minimale. Nuk jep para as për pagat në arsim, por edhe në sektorë të tjerë. Punëtorët janë margjinalizuar dhe harruar, të ballafaquar me çmime të larta dhe paga të ngrira. Në vend se të ngrijë çmimet, Mickoski ka ngrirë pagat”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, LSDM.