
I lindur më 8 prill 1940, Hasa ka luajtur me dhjetëra role në teatër ndërsa është i njohur më shumë si aktor në estradën e Durrësit.
Rolet e tij kanë shënuar historinë e humorit shqiptar, me personazhe që ende mbahen mend si “Dajrja”, përkrah kolegut Muharrem Hoxha, “Sheqeri”, “Tekniku i larjes”, apo pjesë humoristike, të cilat shfaqeshin për natën e fundvitit në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar, që mbeten edhe sot, si perla të humorit shqiptar.
Hasa ka luajtur edhe në filma si: Kronika provinciale (2009), Mao Ce Dun (2007) rolin e Hekuran Romalinit dhe Gratë deputete (1987) rolin e Shabanit. Në edicionin e 13-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Filmit, aktori Fadil Hasa u vlerësua me çmimin e aktorit më të mirë për rolin e tij në filmin “Mao Ce Dun”.
Hasa mban çmimin “Artisti i Merituar” dhe është katër herë fitues i çmimit “Aktori më i mirë i humorit”.
Aktori i mirënjohur shqiptar, Fadil Hasa, u largua në amshim, më 16 korrik 2018, nga një sëmundje e rëndë, në moshën 78-vjeçare…