Makinat e djegura flasin për zjarrin e tmerrshëm, që të dielën pasdite përfshiu tre parqe makinash në Veleshtë të Strugës. Pronarët thonë për Alsat se janë djegur qindra automjete. Zjarri ka filluar në afërsi dhe më pas është përhapur me shpejtësi dhe ka përfshirë makinat e parkuara dhe automjete të tjera.
Pronarët thonë se makinat e djegura nuk ishin të siguruara dhe disa nga ato që u dogjën ishin edhe të klientëve të tyre. Pronarët dyshojnë se zjarri është i qëllimshëm. Thonë se nuk ndjehen të sigurt pas kësaj ngjarjeje.
Pronarët arritën të shpëtonin objektet aty pranë, dhe për këtë u ndihmuan nga 200 qytetarë që dolën vullnetarisht tu ndihmojnë. Dhjetëra prej tyre, për shkak të tymit të dendur që kanë thithur, përfunduan në spital. Policia thotë se ekipi i tyre ka shkuar në vendngjarje, ka bërë inspektim dhe ka konstatuar se në tre parqe makinash janë djegur qindra makina. Shkaku i zjarrit ende nuk dihet.