Zyrtarët humanitarë njoftuan se Izraeli do të lejojë ndërprerje ditore të luftimeve në Gazë, për të lejuar vaksinimin e një pjese të popullsisë në Gazë kundër poliomielitit. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës Anita Powell, shpërthimi i virusit të rrezikshëm ngjitës është një zhvillim alarmues në rajonin e Gazës, ku konflikti që po vazhdon prej më shumë se 10 muajsh ka shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës civile.
Pauza humanitare prej 9 orësh do të fillojë të dielën dhe do të vazhdojë për tre ditë me radhë për të lejuar vaksinimin e rreth 640 mijë fëmijëve nën moshën 10 vjeç, u tha të enjten gazetarëve një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Më shumë se 1.2 milionë doza të vaksinës kundër poliomielitit që merret nga goja janë dërguar tashmë në Gazë dhe më shumë se 400 mijë të tjera janë duke mbërritur.
“Nuk po them se kjo është zgjidhja më e mirë, por besoj se është një hap i mirë. Mosmarrja e asnjë mase do të ishte vërtet diçka e keqe, ne nuk duhet të lejojmë që ky virus të përhapet edhe më shumë në Gazë dhe duhet të shmangim përhapjen e tij jashtë rajonit”, tha Rik Peeperkorn nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ai tha se ekipet mjekësore do të fillojnë vaksinimin në Gazën qëndrore dhe pas tre ditësh do të vlerësohet nëse do të ketë nevojë për më shumë kohë për fushatën. Më pas, mjekët do të shkojnë në jug dhe në fund në veri të rajonit. Në secilën zonë nevojiten 3 deri në 5 ditë për kryerjen e vaksinimit.
Rasti i parë i poliomielitit në Gazë, pas 25 vjetësh, u regjistrua muajin e kaluar.
Ky është i prekuri nga virusi. Ai quhet Abdulrahman.
“Ai nuk është në gjendje të rrijë në vend apo të eci këmbadoras siç bënte më parë, im bir mund të ecte gjithandej këmbadoras. Ai është gati një vjeç tani dhe në përgjithësi fëmijët në këtë moshë duhet të jenë në gjendje të ecin. Por Abdulrahamani nuk mundet më. Dikur ecte, tani jo më”, thotë Nevie Abu El-Jedian, e ëma e Abdulrahmanit
Abdulrahmani është djali i vetëm i Nevit.
Poliomieliti mund të shkaktojë paralizë të pakurueshme te fëmijët dhe përhapet nga njeriu tek njeriu, kryesisht nëpërmjet feçes, por edhe nëpërmjet ushqimit dhe ujit të infektuar, një problem i madh për shkak të shkatërrimit të rrjetit të ujit dhe kanalizimeve në Gazë. Virusi mund të parandalohet lehtësisht përmes vaksinimit.
Ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara Danny Danon i tha të mërkurën Zërit të Amerikës se vendi i tij “do të mbështesë çdo fushatë për dërgimin e vaksinave në Gazë”.
Zëri i Amerikës pyeti Shtëpinë e Bardhë nëse mund të ndihmojë për këtë pauzë humanitare. Zyrtarët e administratës së Presidentit Biden thanë së janë “thellësisht të shqetësuar” dhe “të angazhuar që të bëjnë çdo gjë që është e mundur për të mbështetur përpjekjet që e Kombeve të Bashkuara”
Një zyrtare e Kombeve të Bashkuara për çështjet humanitare vuri në dukje se sa e rëndë është situata.
“Na detyron të ngreme pikëpyetjen çfarë ka ndodhur me ndjenjën tonë themelore, atë të të qenit të njerëzishëm?”, tha Joyce Msuya nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare
Fushata e vaksinimit, paraqet një moment të rrallë pajtimi në konliktin e ashpër, ku negociatat për dhënien fund të luftës zgjasin prej muajsh, se kjo gjendje, e fëmijëve të sëmurë nga virusi, është e papranueshme. /voa