Gazetare: Fatlume Dervishi
Para gjykatësve kushtetues janë nismat për kushtetutshmërinë e ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe ajo për balancuesit, për të cilat këtij institucioni mbase do t’i duhet të debatojë së shpejti. Lënda e Ligjit për Gjuhët përbëhet nga 13 nisma nga qytetarë, parti politike, shoqata të ndryshme dhe është themeluar që nga viti 2019.
Në intervistë për MIA-n, kreu i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski thotë se është i vetëdijshëm për interesin publik dhe pasojat e mundshme nëse Gjykata vendos të shfuqizojë, të lërë në fuqi këtë ligj ose të ndërhyjë në dispozita të caktuara.
“E rëndësishme është që të shihen objektivisht argumentet në çdo vendim përpara se të bësh ndonjë koment. Vendimi i Gjykatës duhet të respektohet dhe të pranohet si shprehje e pjekurisë së politikës dhe shoqërisë, vendimi duhet të jetë kornizë udhëzuese për veprimin e ligjvënësit”, deklaroi Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Kostadinovski thotë se nuk mund të parashikojë vendimin e gjykatës por se sipas përvojës së tij, gjykata duhet të debatojë edhe për temat e ndjeshme, në vend që t’i prolongojë ato.
Ndaj njoftimit të kreut të kushtetueses reaguan partitë shqiptare. Sipas VLEN, nisma që vjen nga E Majta duhet të refuzohet.
“Duke pasur parasysh faktin se iniciativa vjen nga një parti anti-NATO që glorifikon regjimin komunist të Enver Hoxhës, më e pakta që presim është që kjo të refuzohet me konstatimin se është një përpjekje për grusht shteti. Kjo veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për kontestimin e procesit të hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pa u thelluar në përmbajtjen e tij”, thonë nga VLEN.
Sipas Frontit Evropian, shkelje e mekanizmave dhe të drejtave që dalin nga Marrëveshja e Ohrit, nuk është gjë tjetër veçse kthim para Marrëveshjes së Ohrit.
“Ne duam t’i kujtojmë qeverisë aktuale se nuk ka dyshime për këto tema dhe janë mbyllur me ndryshimet kushtetuese dhe ligjet e tjera që janë në fuqi, të cilat janë votuar me shumicë të dyfishtë dhe absolute, nga përbërje të ndryshme parlamentare ku kanë marrë pjesë të gjitha partitë, numri më i madh, maqedonas”, thonë nga Fronti Evropian.
Një nismë e tillë ekziston edhe për vlerësimin e kushtetutshmërisë së balancuesit. Kostadinovski thotë se nga Gjykata mund të pritet seancë në të cilën do të prezantohen dhe përplasen faktet dhe argumentet kushtetuese-juridike dhe vendim që të bazohet në Kushtetutë.