VLEN: BDI dhe LSDM janë vëllezër në iluzionet e tyre

Koalicioni VLEN sot përmes një kumtese ka akuzuar BDI-në dhe LSDM-në duke thënë se përderisa ata kanë qenë në qeveri, e kanë larguar Maqedoninë e Veriut nga BE-ja. Nga aty thonë se BDI dhe LSDM janë vëllezër në iluzionet e tyre, njëri beson se ka monopol mbi agjendën euroatlantike, tjetri se ka monopol mbi partneritetin strategjik me SHBA.

VLEN

“Deri dje, LSDM deklaronte se për qeverinë e re, BE-ja nuk ishte prioritet, ndërsa tani na akuzojnë se kemi pranuar ‘agjendën e tyre’ të reformave. Çfarë është e vërtetë, njëra apo tjetra? BDI, megjithëse priti Lavrovin në Shkup, para zgjedhjeve kërkonte të thuhej JO për Rusinë. Ali Ahmeti i gënjente satelitët e tij se SHBA nuk do të lejonte që BDI të mos ishte pjesë e koalicionit qeverisës. Jo vetëm që shumica e shqiptarëve u thanë JO në zgjedhje, por tani ua tërheqin veshët si Miushit Miki për planet e tyre për të nxitur tensione.”

Nga koalicioni shtojnë se agjenda e tyre reformuese është një konfirmim i drejtëpërdrejtë se po punojnë për të dinamizuar anëtarësimin e plotë në BE. “Kjo u dhemb atyre. Ashtu siç u dhemb që do të ketë reforma në drejtësi për të eliminuar ‘mykun’ dhe ne do të zbatojmë luftë të pakompromis kundër korrupsionit”, thonë nga VLEN.